Dhjetra militantë demokratë, janë mbledhur sërish këtë mbrëmje poshtë pallatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa ky i fundit vuan masën e "arrestit të shtëpi".
Mes të pranishmëve kanë qenë emra të njohur si Argita Malltezi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Belind Këllici dhe Oerd Bylykbashi.
Vajza e Berishës, Malltezi ka thënë se babai i saj ka qenë më tepër i fokusuar nga shtëpia sesa nga zyra, ndonëse ka kaluar gjendje gripale.
"Kanë qenë ditë non-stop, edhe në ditët që ka qenë me grip. Kanë qenë ditë pak më të qeta për të se ndoshta nuk ka atë lodhjen normale që ka njeriu kur është në zyrë. Ka qenë pak më i fokusuar. Për asnjë gjë nuk them më nuk mundet. Me këtë shtet që shkel Kushtetutën, çdo gjë mund të ndodhë. Ky është një vendim i pabazuar në ligj", u shpreh Argita Malltezi.
E pyetur nëse interesohet për të marrë në dorë të ardhmen e partisë, ajo u përgjigj: "Nuk është çështje angazhimi në politikë, është çështje e të bërit detyrës si qytetar".