Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, reagon BE: Ende nuk kemi marrë informacione të detajuara

6 Nëntor 2023, 21:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Meloni dhe Rama pas marreveshjes

Një marrëveshje historike, e arritur në parim që në 15 gusht kur kryeministrja italiane Giorgia Meloni erdhi me traget nga Pulia për të pushuar me familjen e homologut shqiptar Edi Rama në Vlorë, është firmosur sot mes dy liderëve në “Palazzo Chigi” të Romës.

Porti i Shëngjinit do të jetë porta hyrëse për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Europë përmes Italisë, sipas protokollit për menaxhimin e flukseve migratore.

Përmbajtja e protokollit është zbardhur nga TgCom, që raporton se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një "fluks vjetor prej 36 mijë personash”.

Ndërkohë lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar edhe Bashkimi Europian.

“Jemi në dijeni të marrëveshjes operative mes autoriteteve italiane dhe shqiptare. Jemi informuar për këtë marrëveshje, por nuk kemi marrë informacione të detajuara”, citon Tgcom24 një zëdhënës të Komisionit Europian.

“Na rezulton që kjo marrëveshje operative duhet të kthehet në ligj nga Italia dhe më tej të implementohet. Është e rëndësishme që çdo lloj marrëveshje e tillë të jetë në përputhje të plote më te drejtën e komunitare dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Komisioni Europian.

Video