"Lidershipi i opozitës të tërhiqet, duhet projekt i ri politik"/ Deputetja e PD reagon pas zgjedhjeve: Të ndarë jemi të humbur

16 May 2023, 21:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Lidershipi i opozitës të tërhiqet, duhet projekt i ri
Deputetja e PD-së Dhurata Çupi

Deputetja e PD-së Dhurata Çupi ka reaguar pas humbjes katastrofale të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Në një postim në rrjetet sociale, Çupi shkruan se Partia Demokratike mori të dielën frytet e përçarjes. Sipas saj, pavarësisht humbjes, lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit.

Deputetja demokrate shprehet se mesazhi i rezultatit të zgjedhjeve është i qartë, ku të përçarë janë të humbur. Ajo shton më tej se shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.

Deputetja demokrate bën thirrje që idershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur.

Sipas saj, të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojnë akoma më keq.

Reagimi i plotë:

Frytet e përçarjes gati 2 vjeçare i morëm të dielën. Disfatë në bastione, humbje të mëdha në pjesën më të madhe të bashkive.
Mijëra demokratë qendruan në shtëpi pa i dhënë besim asnjërës palë të opozitës. Mijëra qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë nuk gjetën përfaqësim tek asnjëra nga logot e opozitës.

Për fat të keq, po kuptoj që lidershipi i opozitës nuk ka ndërmend të dëgjojë këmbanat e alarmit. Mesazhi është dhënë i qartë: Të ndarë jemi të humbur! Mesazhi duhet lexuar: Shumica e votuesve nuk përfaqësohen më nga kjo opozitë, nuk kanë besim tek kjo opozitë.

Demokratët, shqiptarët nuk duhet të sakrifikohen më për interesa personalë të askujt. Lidershipi aktual i opozitës, në të dyja kampet, duhet të tërhiqet dhe t’ia lërë vendin pajtimit përmes një projekti të ri politik dhe përmes njerëzve që mund të rizgjojnë besimin tek elektorati i heshtur, trupa e vetme që mund të sjellë në pushtet opozitën.

Është koha t’i lëmë vend arsyes! Të përçarë, me inate, me hakmarrje, me akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit do të përfundojmë akoma më keq!


Video