Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një dalje për mediat ka publikuar shifrat zyrtare të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Sipas Celibashit, në zgjedhje kanë marrë pjesë 1.395.360 votues nga 3.650.658 emrat në listë, që nënkupton se pjesëmarrja zyrtare në zgjedhje ishte 38.22 %.
I pyetur mbi deklaratën e kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar si një dështim skandaloz të KQZ, fillimisht kryekomisioneri Ilirjan Celibashi zgjodhi që të mos i përgjigjej.
“Nuk kam asnjë koment për këtë deklaratë të kryeministrit”, tha Celibashi.
Më pas, i pyetur sërish, Celibashi theksoi se vetëm 5% e qendrave të votimit janë hapur pas orës 08:00. Kjo vonesë sipas tij nuk ka pasur një impakt të madh në proces.
“90% e qendrave të votimit, është hapur mes orës 07:00 dhe 7:30, vetëm 5% pas orës 8 dhe për 5% të tjera ka filluar mes orës 08:00 dhe 09:30, pra janë vetëm 5% e qendrave ku procesi ka filluar pas orës 8, këto janë fakte dhe pastaj mbi këto fakte, mund të bëjë vlerësimin e vet, por asesi impakti i kësaj vonese ka qenë negativ mbi mbarëvajtje së procesit, e di që kanë shkuar votues dhe nuk kanë mundur të votoj, prandaj ne i japim gjithë ndjesën tonë, sepse do duhet të ishte hapur në orën 07:00”, tha Celibashi.
Në lidhje me videon që qarkulloi në media, ku pajisjet e identifikimit elektronik hidheshin si “mbeturina”, Celibashi deklaroi se është ndjerë shumë i keqardhur dhe i inatosur kur i ka parë.
“Jam ndjerë shumë i keqardhur dhe i inatosur kur kam parë ato pamje, i kam parë pa se të dilnin në rrjetet sociale, ata janë punëtorë që janë rekrutuar për shërbime të caktuara, ngarkim shkarkim, nuk është justifikim, do ishte e tepërt të them që KQZ, do ketë vlerësimet e veta, ai gjest të errësojë dhe eklipsojë gjithë përpjekjen e ndershme që KQZ si institucion ka bërë për t’i përgatitur këto zgjedhje, ku gjest nuk mundet ta errësojë dhe as ta vë në dyshim”, tha Celiabashi.