Cilat janë 4 bashkitë ku dy PD-të e ndara “vranë” njëra-tjetrën

16 May 2023, 15:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Cilat janë 4 bashkitë ku dy PD-të e ndara
Enkelejd Alibeaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha

Demokratët ishin të ndarë në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën e 14 Majit dhe rezultati ishte katastrofal. Berisha pa logo dhe pa vulë, i bashkoi demokratët e tij me partinë e Ilir Metës, Nard Ndokës dhe Vangjel Dulen dhe së bashku arritën të merrnin vetëm 7 bashki.

Ndërsa, Partia Demokratike zyrtare e Enkelejd Alibeaj kishte pak kandidatë, por dhe në ato bashki ku kandidoi, në disa prej tyre doli forcë e katërt.

Por, kjo përçarje e demokratëve, i bëri disa dhurata dhe Partisë Socialiste, pasi nëse votat nuk do të ishin të ndara mes demokratëve, ajo nuk do të arrinte të fitonte. Kjo gjë të paktën është mëse e sigurt në 4 bashki, në Mallakastër, Këlcyrë, Kuçovë e Finiq, ku nëse do të kishin dalë me një kandidat do të kishin fituar ndaj Partisë Socialiste, e cila në këto 4 njësi vendore ishte e vetmja konkurrente përballë.

Në Kuçovë, nëse 6222 votave të marra nga Lefter Maliqi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do t’i shtoheshin edhe 739 votat e Ilirjan Koxhajt të Partisë Demokratike do të arrihej që me një diferencë prej 57 votash fitorja të kalonte djathtas.

Në Mallakastër, Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike zyrtare mori 5789 vota, ndërsa Resmi Shanaj i “Bashkë Fitojmë” 735 vota. Nëse edhe këtu do të kishte një bashkim forcash, fitorja ndaj socialistëve do të ishte arritur me një diferencë prej 445 votash.

Në Finiq, Leonidha Papa i Partisë Demokratike Zyrtare siguroi 1705 vota, por nëse do t’i shtoheshin edhe ato të Leonidha Hristos të koalicionit “Bashkë Fitojmë” prej 1911 do të ishte arritur një fitore me një diferencë prej 1344 votash ndaj kandidatit Romeo Çakuli të Minoritetit Etnik grek për të Ardhmen, i cili rezulton të jetë fitues në këtë bashki.

Këlcyra është një tjetër bashki, ku “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Demokratike dëmtuan qartazi njëra tjetrën. Kështu nëse votat e Arjan Kasajt të “Bashkë Fitojmë” do t’i ishin bashkuar atyre të Adriatik Spahiut do të arrihej një fitore me 54 vota diferencë.

Por përtej llogaritjeve matematikore, bashkimi i forcave mund të kishte sjellë edhe frymë që do të ndikonte pozitivisht tek demokratët e bazës dhe mbështetësit e të djathtës, gjë që nuk u bë e mundur para zgjedhjeve. Nëse do të kishte frymë bashkimi, demokratët ndoshta mund të arrinin të fitonin dhe në shumë bashki të tjera ku rezultati ishte i ngushtë, si Këlcyra apo Rrogozhina.


Video