Enkelejd Alibeaj mblodhi këtë të enjte pjesën e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike që i binden. Mbledhja u thirr për të shfrytëzuar raundin e tretë dhe mundësinë e fundit që opozita të çonte një emër si kandidat për President, por devijoi.
Në përfundim, Alibeaj njoftoi se ishin përcaktuar emrat me të cilët PD do të përfaqësohej në disa komisione parlamentare, që nga ai për reformën zgjedhore, te ai për hetimin e investimeve strategjike e deri te territorialja.
Me përjashtim të komisionit hetimor për investimet strategjike, për të cilin opozita nuk ka siguruar ende 35 firma për të legjitimuar kërkesën para socialistëve që e refuzojnë, kërkesat për dy komisionet e tjera janë përmbyllur që kur PD-ja drejtohej nga Lulzim Basha dhe gjithë këto muaj kanë qenë në pritje vetëm për plotësimin me emra.
Pse u kujtua tani Enkelejd Alibeaj që të caktojë përfaqësuesit e PD-së në këto komisione (pa i hyrë debatit mbi emrat e propozuar)? Me këto propozime, Alibeaj me siguri që do të hapë një front të ri në luftën me Sali Berishën në përpjekje se kush pwrfaqwson PD dhe ndoshta shpreson që kjo përplasje do të shkaktojë një zhurmnajë që do të eklipsojë dështimin në sigurimin e të paktën 20 firmave për të propozuar një emër për President të ri.
Sa për Presidentin, e gjithë retorika e kreut të grupit parlamentar të PD-së kaloi përgjegjësinë dhe fajin te Partia Socialiste, që e akuzoi se shkeli marrëveshjen. Po çfarë marrëveshje shkelën socialistët?
Dokumenti Alibeaj përcaktonte propozimin e 4 emrave, ku PS të eleminonte dy dhe dy të kalonin për votim në seancë plenare. Alibeaj nuk e pohoi asnjëherë publikisht, por duke mos pasur votat e nevojshme për të zyrtarizuar 4 emra e nënkuptoi shpesh se po kërkonte votat e PS-së.
Kur kreu i grupit parlamentar të PS-së ja mohoi mundësinë që socialistët të firmosnin për kandidatë të propozuar nga demokratët (para djegies së raundit të dytë të zgjedhjeve), Enkelejd Alibeaj doli me akuzat se PS nuk ka legjitimitetin për të zgjedhur Presidentin e ri me avazin e vjetër ‘e mandateve të siguruara nga non gratat’.
Prandaj, më shumë se sa zgjedhja e Presidentit, apo komisionet parlamentare për reforma e hetime të investimeve strategjike lëvizjet e Alibeajt janë në funksion jo të përplasjes me socialistët, por me Sali Berishën brenda llojit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.