Do flitet për situatën e PD-së, kush janë deputetët demokratë të ftuar në Kongresin e PPE

26 May 2022, 14:20Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Do flitet për situatën e PD-së, kush janë deputetët
Kongresi i PPE dhe selia e PD

Partitë Popullore Europiane (PPE), që përfaqëson në Bruksel parti të ndryshme të qendrës dhe të djathtës së moderuar, duket se po i kushtojnë vëmendje maksimale situatës në Partinë Demokratike të Shqipërisë, e cila bën pjesë në këtë organizatë ndërkombëtare.

Në Kongresin e PPE-së që do të mbahet më 31 maj dhe 1 qershor në Roterdam të Holandës, pjese e diskutimeve do të jetë dhe përçarja e PD-së. Burime për mediat bëjnë me dije se për të marrë pjesë në punimet e kongresit dy ditor janë ftuar tre deputetë të PD-së. Bëhet fjalë për Jorida Tabakun, Bleind Këlliçin dhe Albana Vokshin.

Referuar ftesave të bëra, duket se PPE i referohen Partisë Demokratike të para 8 muajve dhe nuk merr në konsideratë asnjë zhvillim të ndodhur në këtë periudhë, veç faktit të dorëheqjes së Lulzim Bashës. Kjo vërehet lehtësisht për faktin se ftesa i ka shkuar Jorida Tabakut, e cila është nënkryetare e Partisë Demokratike me detyrë specifike për marrëdhëniet me jashtë. Po ashtu, ftesa është edhe për drejtuesit e dy organizatave partnere të Partisë Demokratike: për Albana Vokshin si kryetare e Lidhjes së Gruas së PD së dhe për Belind Këlliçin si kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Gjithsesi, vlen të përmendet se tre deputetët nuk jan të së njëjtës palë, pasi Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, pas përplasjes Berisha Basha, u pozicionuan në mbështetje të Berishës, ndërsa deputetja Tabaku qëndroi në grupin parlamentar, duke mos iu bashkuar lëvizjes së Berishës, të quajtur “Foltorja”.

Aktualisht statuti dhe vula e PD-së ndodhet në gjykatë dhe është e paqartë se kush do të jetë drejtuesi faktik i saj. Qëndrimi që do të mbahet për PD-në do të diskutohet më 31 Maj. Ndërkohë, në këtë ditë pritet të zgjidhet Presidenti i PPE-së ku kandidat është Manfred Weber, aktualisht kryetar i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian dhe deputet i CSU në Gjermani. Ndërkohë, ditën e dytë të Kongresit do të zgjidhen sekretari i përgjithshëm dhe zëvendëspresidentët.


Video