Rama kërkon riorganizim të Bashkisë Tiranë, hapet gara për 5 nënkryetarë. Ristanit i ngarkohet detyra e re

21 Korrik 2025, 20:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anuela Ristani

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të zhvilluar pasditen e sotme mes deputetëve të zgjedhur të Tiranës dhe drejtorëve të Bashkisë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar një riorganizim të Bashkisë, në bazë të strukturës të propozuar nga kompania (konsulente) e Tony Blair.

Sipas kësaj strukture, Bashkia Tiranë nga 4 nënkryetarë që ka aktualisht, do të bëhet me 5, përmes një procesi të ri përzgjedhjeje, ku secili të ketë profile të caktuara pune.

Ndryshe nga sa u raportua më parë, Rama nuk ka kërkuar sot shkarkime të nënkryetarëve aktualë, por gjatë ditëve në vijim, pas përzgjedhjes së emrave të rinj, ata ftohen të japin dorëheqjen nga detyra.

Kështu nënkryetarët aktualë do të vijojnë detyrën, deri në emërimet e reja.

Nga këto ndryshime, duket se përjashtohet Anuela Ristani, e cila aktualisht mban postin e Kryetares së komanduar në Detyrë dhe jo atë të nënkryetares.  

Rama i ka besuar Ristanit, dixhitalizimin e Bashkisë dhe strukturimin e organigramës së re në bashkëpunim me institutin “Tony Blair”.

Mësohet se e njëjta procedurë do të zbatohet edhe në bashkitë e tjera të vendit./VoxNews


Video