Berisha i “kënaqur” me trupën gjykuese për "Partizanin", ndërsa avokati i tij kërkon përjashtimin e trupës gjykuese!

21 Korrik 2025, 11:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka pranuar dorëheqjen e gjyqtares speciale, Elsa Ullirit nga dosja “Partizani”.

Gjatë seancës së kësaj të hëne, vetë Ulliri, e cila është dhe kryesuesja e trupit Gjykues, relatoi se kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, vendosi që të mos pranonte kërkesën e saj të dorëheqjes nga kjo çështje.

Ndërkohë, që në këtë moment, nga ana tjetër, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese. 

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. 

Gjyqtaret e Gjykatës se Posaçme janë në moritorim të vazhdueshëm, gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. 

Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur”,tha Gjokutaj.

Kjo kërkesë e Gjokutajt ka ardhur në kontradiktë me deklaratën e bërë pak më herët nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se nuk ka asnjë kundërshtim për treshen gjykuese.

"S’kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret”, tha Berisha nga ambientet e SPAK, ndërsa në gjykatë përfaqësohej nga Gjokutaj.

Kujtojmë se gjyqtarja Elsa Ulliri paraqiti kërkesën e dorëheqjes nga ky proces me argumentin se është kushërirë me deputeten e Partisë Demokratike, Andia Ulliri.

Dy anëtarët e tjerë janë gjyqtari Bib Ndreca dhe gjyqtarja Rudina Palloi. 


Video