Në takimin në kryeqytet me deputetët ekzistues dhe ata kandidatë në zgjedhjet e 11 Majit, së bashku edhe me drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë aktesh normative për reformën e territorit.
Në fjalën e tij, Kryeministri bëri të ditur se paketa e reformës së territorit do të zhvillohet përmes dy faza.
Rama bëri të ditur se do të ketë rishikim edhe të ligjit të ndërtimit.
“Paketa e re e reformës së territorit do të ketë 2 faza. Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe. Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme”.
Sa i përket legalizimeve të ndërtimeve pa leje për qëllime fitimi, Kryeministri theksoi se do të konsiderohen të gjitha të pavlefshme.
Kreu i qeverisë bëri me dije se deri më tani, vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë janë inventarizuar 1463 problematika, nga më të ndryshimet, por pjesa më e madhe lidhen me lirimin e hapësirave publike.
Numri një i qeverisë u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë durim në pritjen për zgjidhjen e problematikave të shprehura, ndërsa u kërkon të mos ndalojnë ankesat.
"Një rilindje urbane 2.0. Kjo përmbledhje këtu ka 1463 çështje të identifikuara. Shumica janë të lidhura me zonën e hapësirës publike dhe prekin praktikisht jetën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Bashkinë e Tiranës. Dua të falenderoj IKMT Tiranë që po bën një punë intensive dhe po përpiqet që t’i adresojë problematikat në mënyrën e duhur. Volumi është tejet i madh dhe duhet t’u them edhe qytetarëve që është shumë e qartë që kanë krijuar një lloj pritshmërie dhe çojnë vazhdimisht ankesat e tyre. Të gjitha do të adresohen, por duan pak kohë, edhe për faktin që edhe në shumë raste kur IKMT duhet se erdhi në bllok, bëri gjë, lihet procesverbal, njoftime, u lihet mundësia që atyre që largohen, t’i çmontojnë vetë. Ka filluar e njëjta gjë edhe një pjesë te qytetet e tjera, Durrës, Shkodër, që i kam parë edhe më afër edhe për shkak të detyrimit si deputet dhe për shkak të situatës që ngriti siparin e kësaj përpjekjeje që u krijua me ndërtimet e paligjshme në Theth. Për të mos u zgjatur nga ana ime në këtë pjesë, dua vetëm t’ju informoj që kemi një axhendë të ngjeshur, pasi kemi disa grupe pune. Është në radhë të parë ky grup i madh i këtyre deputetëve që janë kthyer në terren. Përveç kësaj skuadre janë edhe një sërë të tjera, janë disa grupe pune: një grup që drejtohet nga zv.kryeministri në lidhje me analizën e shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, një grup që koordinohet nga Ministria e Financave lidhur me analizën e financave, një grup që koordinohet nga drejtues",- tha Rama.
Ky është takimi i dytë i Kryeministrit Rama me deputetët dhe drejtuesit e Bashkisë Tiranës. Takimi zhvillohet në Hotel Tirana.