Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi se ndryshimet e rregullores që pozita çoi në Gjykatën Kushtetuese përbëjnë një rast flagrant të shkeljes së rregullave në parlament.
Sipas saj, rregullorja duhet të ketë ndryshime të kondensuara, ndërsa ndryshimet e njëanshme që marrin hapësirën e opozitës dhe nuk kalojnë një proces konsultimi, shkelin parimet e bashkëjetesës në Kuvend.
“Në Konferencën e Kryetarëve nuk ramë dakord për kalendarin sepse mazhoranca propozoi të prezantohen edhe ndryshimet e rregullores pas zbardhjes nga Kushtetuesja. Mazhoranca na njoftoi se pret që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të zbardhet. Ne nuk dimë çfarë informacioni ka mazhoranca që ne nuk e kemi. Dua të njoftoj që ndryshimet e rregullores që PD i çoi në GJK, me një vendim të Kushtetueses që i dha të drejtë opozitës për shkelje, janë rasti më flagrant që rregullat në këtë parlament janë shkelur me dy këmbë,” tha Tabaku.
Ajo shtoi se ndryshimet e reja të propozuara nga PS shkelin të drejtat e opozitës dhe ngushtojnë hapësirën e komisioneve që drejtohen nga opozita. “Nëse GJK nuk zbardh vendimin, ne do të vazhdojmë normalisht. Ky diskutim në Konferencë është i nevojshëm për të sqaruar që ndryshimet e njëanshme janë shkelje e të gjitha parimeve të bashkëjetesës në parlament,” u shpreh deputetja.
Tabaku njoftoi gjithashtu se PD-ja ka propozuar një mocion me debat lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe ende nuk është kryer diskutimi për raportin e parë.