Vetëofrimi i Erion Braçes për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik dhe në radhët e Partisë Socialiste.
Braçe në faqen e tij në ‘Facebook’ tha se e ka seriozisht kandidimin dhe se do t’i shkojë deri në fund këtij synimi, duke kërkuar mbështetjen e socialistëve dhe qytetarëve të Tiranës.
Në deklaratat e tij, Braçe thekson se kandidimi nuk është ambicie personale, por një mundësi për të zhvilluar Tiranën në një dimension të ri dhe më gjithëpërfshirës.
Ai falenderonte qytetarët për mbështetjen dhe se nuk po tallet me këtë iniciativë, duke nënvizuar se do të vijojë rrugëtimin politik deri në fund.
Më herët, gjatë një mbledhjeje të Asamblesë së Partisë Socialiste në Njësinë 5 në Tiranë, Braçe kishte deklaruar se do të kërkonte mbështetjen e socialistëve në gjithë kryeqytetin dhe, nëse nuk do të ishte kandidat zyrtar i PS, do të garonte edhe si kandidat i pavarur për kryetar bashkie.
Kjo deklaratë ka shkaktuar surprizë dhe debat brenda strukturave socialiste, pasi në garë është Ogerta Manastirliu si një nga kandidaturat e zgjedhura nga kryetari i PS-së, Edi Rama.
Sondazhi i Vox News synon të masë perceptimin e publikut mbi këtë kandidaturë, duke pyetur qytetarët se si e shohin këtë lëvizje politike dhe nëse ajo përbën një alternativë reale për drejtimin e Bashkisë së Tiranës në të ardhmen.
Jepni mendimin tuaj: