Komisioni për Sterilizimin, mjeku Genc Byrazeri: Ka pasur shumë vdekje nga ndotja e sallave kirurgjikale!

24 September 2024, 11:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioni për Sterilizimin, mjeku Genc Byrazeri: Ka pasur shumë
Genc Byrazeri

Po vijon edhe sot punimet Komisioni Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up në Shëndetësi.

I thirrur për dëshmi ka qenë Genc Byrazeri, në cilësinë e ish-anëtarit të Komisionit të Koncesionit për Sterilizimin, KVO, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë.

Teksa e nisi fjalën e tij me një studim vlerësues ndërkombëtar, ku përfshihej edhe emri i tij, ai i kërkoi anëtarëve deputetë të Komisionit që të “kishte minutat e famës së tij, si e drejtë kushtetuese që nuk ia merrte askush dhe që të kishte mesazhe pozitive dhe jo vetëm të nxihej me dokumente”.

Kryetarja Albana Vokshi ndërhyri duke i kujtuar se “Komisioni kishte si qëllim që të parandalonte abuzimet në shëndetësi, për të nxjerrë të vërtetat dhe të mos ndodhnin shkelje”.

Byrazeri u shpreh se prej vitit 2011-2019 ka qenë edhe si specialist i Institutit të Shëndetit Publik si i jashtëm, që në kohën kur ministër ishte Petrit Vasili, pasi punonte dhe pedagog te Fakulteti i Mjekësisë.

“Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja më emëroi si një nga  anëtarët e Komisionit të Koncesionit. S’kam qenë pjesë organike apo hierarki administrative. Jam dorëhequr më 5 Maj 2015, dorëheqje për arsye personale, pak pasi mbaroi studimi i Fizibilitetit për koncesionin, pasi kjo ishte detyra ime dhe për këtë përgjigjem. Jam gati të flas e përgjigjem për çfarë përmban pozicioni im për studim fizibiliteti dhe kur mbaroi jam larguar”, tha Byrazeri.

Më tej tha se ishte zëvendësuar me një urdhër të ish-ministrit Beqja me një anëtar tjetër. Byrazeri këmbënguli se i është përmbajtur vetëm detyrës së tij të përcaktuar edhe nga  urdhri i ministrit dhe jo për çështjet e tjera.

Byrazeri mbrojti studimin e tij të fizibilitetit, duke konstatuar problematikën e ndotjes dhe infeksioneve në qendrat spitalore ku ishte caktuar që të kryente kërkime shkencore.

“Një pjesë janë marrë parasysh nga konstatimet e bëra dhe një pjesë jo. Ky është vetëm një studim fizibiliteti dhe vendimet i marrin të tjerët. Një pjesë u morën parasysh dhe shumë mirë u bë, por detyra ime kjo ishte. Ndaj edhe kam firmosur, sepse profesioni im është mjek epedimiolog, të kontrolloj gjendjen, gjithmonë për pjesën time. Unë kam firmosur për pjesën time”, tha Byrazeri.

Ish- anëtari i Komisionit ka deklaruar se ka kërkuar mbylljen e disa sallave kirurgjikale.

"Kemi kontaktuar ish ministrin Halim Kosova për ta sensibilizuar për nevojë urgjente për mbylljen e disa sallave kirurgjikale, të cilat dolën me ndotje:
Shkalla ORL, shkalla mikrobike 43 përqind
Urgjenca e kirurgjisë 2/3, kirurgji 40 përqind. Nuk ka vend për diskutim. Ishim si Afrikë subsahariane!
Ka pasur shumë vdekje si pasojë e gjendjes septike”, tha ai.

Kjo deklaratë e tij ka shkaktuar reagime në komision, si nga kryetarja e komisionit Albana Vokshi, ashtu edhe nga Plarent Ndreca.

Vokshi ka deklaruar se një përcaktim i tillë është i rëndë dhe në rast se kjo do të ishte e vërtetë do të kishte sjellë vdekjen e shumë personave.


Video