“Keqkuptim me mosbindjen civile”, Berisha: Nuk kishim bojkotuar Kuvendin, aksioni vijon në rrugë!

8 Nëntor 2024, 15:20Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha

Rikthimi i opozitës në parlament, për Sali Berishën, nuk vjen në kundërshtim me një vendim që opozita kishte marrë për bojkotim të aktivitetit parlamentar.

Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha theksoi se përjashtimi masiv i deputetëve demokratë nga mazhoranca socialiste i detyroi ata të mos ishin të pranishëm në Kuvend.

Sipas tij, keqkuptimi ka qenë se nuk ka asnjë vendim të PD-së për bojkotin e seancave parlamentare.

“Në rast se i rikthehemi, ju e dini që deputetët tanë që nuk kanë qenë të përjashtuar, kanë shkuar në çdo seancë, por janë bllokuar te dera në mënyrë të paligjshme. Nuk ka pasur asnjë vendim, edhe njëherë, që të braktiset, që të bojkotohet parlamenti, gjë që mund të merrej, por nuk është marrë,” tha Berisha.

Për opozitën, buxheti i vitit të ardhshëm është një nga çështjet më të rëndësishme në parlament, pohoi Berisha, teksa shtoi se mosbindja civile për demokratët do të vijojë.

“Ne jemi të detyruar të dërgojmë amendamente për këto dhe nuk besoj se PD do të kishte mirëkuptim nga qytetarët nëse ajo debatin për buxhetin nuk e bënte edhe në parlament. Thënë këto, nuk lëviz asgjë nga mosbindja civile. Ju garantoj me përgjegjësi të plotë këtë. Ajo do të vazhdojë në rrugë, sheshe dhe kudo,” deklaroi Berisha.

I pyetur nëse zgjedhja e Donald Trump në krye të SHBA mund ta zhbënte shpalljen e tij non-grata, Berisha u shpreh optimist, por i kujdesshëm në përgjigje.

“Nuk ka dyshim që kam besim të plotë se goditja që morën në SHBA ekstremizmi i majtë, i udhëhequr nga George Soros, do vijë edhe në Shqipëri, pasi nuk do mbështeten më siç janë mbështetur,” shtoi ai.

Video