Kryeministri Edi Rama, Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis u takuan bashkërisht gjatë punimeve të takimit të radhës të Komunitetit Politik Europian, që zhvilloi punimet në Budapest të Hungarisë.
Fotot e tre udhëheqësve u publikuan për herë të parë nga mediat turke dhe ato greke dhe më pas u shpërndanë edhe në rrjet. Imazhet shoqëroheshin me artikuj se temë e bisedës mes Ramës, Erdogan dhe Mitsotakis ishte thellimi i bashkëpunimit mes tre vendeve.
Por nga ku mund të nisë ky thellim? Më së pari nga OSBE, ku kokëfortësia turke dhe ajo greke po bllokojnë kandidaturën shqiptare të Igli Hasanit që të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës. Votimi i fundit që u mbajt në Vjenë tregoi se kandidatura e Shqipërisë kishte mbështetjen e 39 nga 56 vende të organizatës, 9 të tjera abstenuan dhe 9 votuan për kandidaturat e përbashkëta të Turqisë dhe Greqisë.
Dy vendet janë përfshirë në një aleancë të pazakontë në OSBE, duke propozuar kandidatin turk Feridun Sinirlioglu për Sekretar të Përgjithshëm të OSBE, diplomat me përvojë dhe njeri i besuar i Erdoganit me një të kaluar të diskutueshme në çështjet që lidhen me demokracinë dhe lirinë; Si dhe Maria Telalian, kandidate greke e profilit të ulët për Drejtore të ODIHR.
Që nga prezantimi në gusht, paketa po bllokohet në mënyrë agresive nga Turqia dhe Greqia, të cilat në një sërë lëvizjesh të forta diplomatike në Vjenë dhe në të gjitha kryeqytetet, synon të përmbysë rezultatet dhe të përfitojë nga ndikimi dhe pushteti i tyre negociues kundër Maltës si Kryetare dhe Shqipërisë, të cilat si vende më të vogla kanë shtrirje dhe fuqi të kufizuar negociuese.
Ky qëndrim kokëfortë në bllok i Ankarasë dhe Athinës është fajësuar nga analistët, diplomatët dhe ekspertët e OSBE-së si arsyeja kryesore se pse organizata nuk ka ende një Sekretar të Përgjithshëm, edhe pse kandidatura e Igli Hasanit, me përvojën në këtë organizatë ka marrë miratimin e shumicës dhe qëndrimin neutral të pjesës tjetër.
Në këtë pjesë, Hasani penalizohet nga fakti që për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së kërkon votën unanimet të të gjithë vendeve anëtare.
Ndërkohë që Turqia në këtë proces po shfaq qartazi fuqinë e saj dhe kërkon një rol më me ndikim në organizatat ndërkombëtare, humbësja e madhe në të gjithë këtë është Greqia, e cila si vend i BE-së nuk duhet të zgjedhë të jetë mbështetëse në hije e manovrave turke, vetëm për të fituar një pozicion të pamerituar në një organizatë ndërkombëtare.
Një pozicion, të cilin ajo mund ta kishte fituar edhe pa qenë pjesë e një marrëveshjeje të stisur, e cila përfundimisht nuk do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Turqinë. Greqia po vepron ndryshe nga vendet e tjera të BE-së që janë pozicionuar qartë në favor të paketës aktuale të propozuar nga Kryetari, por në vend të kësaj e vendos veten përkrah Turqisë (megjithëse si një partner inferior i pabarabartë), vendeve të Azisë Qendrore me ndikime të forta nga Turqia dhe ndoshta në heshtje edhe përkrah Federatës Ruse.