Gazetarja Manjola Arizaj Zeka ka dhënë dorëheqjen si Drejtoreshë e Komunikimit Kuvendin e Shqipërisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo ka falënderuar kolegët dhe punonjësit e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe kolegët gazetarë për bashkëpunimin 20 vjeçar.
Reagimi i Manjola Arizaj Zekajt:
Pas një periudhe prej 20 vitesh punë në Kuvendin e Shqipërisë, prej të cilave 12 vjet (tre mandate hahahah) si Drejtoreshë e Komunikimit, pas një periudhe të lodhshme personale, por edhe reflektimi të thellë, kam vendosur të dorëhiqem nga kjo detyrë.
Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite në këtë drejtori, për punën e jashtëzakonshme, stresin e përballuar, lodhjen ndonjëherë edhe përtej mundësive fizike. Kanë qenë më të mirët. Jam krenare se Kuvendi i Shqipërisë është sot nga institucionet më transparente, bashkëpunuese dhe lehtësuese për mediat, gazetarët dhe qytetarët.
Dua të falënderoj të gjithë kolegët dhe punonjësit e Kuvendit të Shqipërisë që në gjithë këto vite, pavarësisht problematikave të ndryshme, kanë mundur të japin më të mirën, duke e kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një nga institucionet më të respektuar.
Dua të falënderoj kryetarët e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Lindita Nikolla dhe Elisa Spiropali për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe dashamirësinë e treguar kundrejt meje dhe sektorit aq të vështirë që kam drejtuar.
Dua të falënderoj miqtë e mi në Kuvendin e Shqipërisë, pa emra (s’kanë nevojë për nominim hahahha), të cilët më kanë ndihmuar të kaloj vështirësi të shumta hasur pothuaj çdo ditë në këto vite.
Dua të falënderoj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, për sjelljen përherë dinjitoze dhe të respektueshme.
Dua të falënderoj “heronjtë e heshtur”, kameramanët dhe fotografët. Në veçanti një falënderim për stafin e transmetimit direkt të Televizionit Publik Shqiptar, bashkëpunimi me këdo prej tyre, brenda apo jashtë autobuzit (hahha) ka qenë profesional, njerëzor dhe produktiv.
Dua të falënderoj stafin e OSBE dhe NDI, dy partnerë shumë të mirë të Kuvendit.
Dua të falënderoj Gardën e Republikës, të duruar dhe profesionistë.
Dhe për ëmbëlsirë, dua të falënderoj thellësisht miqtë e mi gazetarë-kolegë, me të cilët sa më shumë grindeshim, aq më shumë duheshim, redaktorët dhe kryeredaktorët, që i bezdisja orë e pa orë dhe ishin aq të mirëkuptueshëm, pronarët e mediave që përherë kanë qenë dashamirës dhe asnjëherë arrogantë pavarësisht politikave të tyre. Faleminderit përunjësisht!
I uroj më të mirën kujtdo! Nëse diku kam prekur dikë me fjalë të rëndë, i kërkoj ndjesë.
Përqafime miqve të mi kudo ku janë!
PS: "Faleminderim i veçantë" stafit përgjegjës të Kuvendit të Shqipërisë, për firmosjen e menjëhershme të dorëheqjes. Ishte hera e parë që nuk shkelën afatet apo normat.