Hapet rruga certifikimit të zgjedhjeve: KAS rrëzon kërkesën e PD-së për 4 qarqet ku u rinumëruan votat

7 Korrik 2025, 19:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
KAS rrëzon kërkesën e PD-së për 4 qarqet ku u rinumëruan votat

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë kërkesën e PD-së për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në qarqet e Tiranës, Fierit, Durrësit dhe Elbasanit.

Tashmë i hapet rruga certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ndërkohë ai ka certifikuar përfundimisht rezultatet për tetë qarqet e tjera.

Tirana, Fieri, Durrësi dhe Elbasani janë qarqet e fundit të mbetura, kjo për shkak të rinumërimit.

Procesi, me kërkesë të opozitës, zgjati plot tre javë.

Me rihapjen e kutive, Partia Demokratike humbi më shumë vota nga ç’kishte marrë më 11 maj.

Lëvizjet e votave në Tiranë, për anëtarët e KAS ishin si rezultat i gabimeve njerëzore gjatë raundit të parë të rinumërimit, ndërsa për qarkun e Fierit  u vu re një fenomen shqetësues, ai i tjetërsimit të votave brenda kandidatëve.

Ndërsa për Durrësin dhe Elbasanin nuk u hapën të gjitha kutitë, por vetëm një pjesë e tyre.

Anëtarët e KAS ngritën dyshime edhe për krime zgjedhore nga numëruesit.

Nga rinumërimi i votave, pati vetëm disa ndryshime të vogla që nuk ndikuan në rezultat.


Video