Florjan Binaj tregon historinë pas fotove me Ramën dhe Veliajn: Kam 10 vite pa folur me kryeministrin, Erjoni ma "vodhi" foton

9 Tetor 2025, 22:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Florjan Binaj me Edi Ramen ne 2013

Pas reagimit në rrjetet sociale, ku Florjan Binaj tregoi se do të kandidonte në Bashkinë e Tiranës, kritikët nisën të shpërndanin fotografitë e tij me Edi Ramën dhe Erion Veliajn të bëra vite më parë në dy aktivitete të ndryshme.

Ai shpjegoi të dyja fotografitë, madje duke u ndalur në disa detaje pikante.

I ftuar në "Top Story" në TCH, Binaj zbuloi se kishte 10 vite pa u takuar dhe pa folur me kryeministrin Edi Rama, ndërsa për Veliajn u shpreh se ia kishte "vjedhur" fotografinë.

“Kjo foto (fotoja me Edi Ramën) është shkrepur në një aktivitet të FRESSH. Në atë periudhë, thonin që Rama ishte e vetmja zgjidhje që mund ta shpëtonte vendin, në 2013. Duke qenë se e imitoja, bëra një skeç dhe në fund bëra një lidhje me daljen e parë në Fiks Fare, që të më përzinte më dha një mandarinë, e më pas kur e kam takuar sërish i dhashë një portokall. Takimi i fundit ka qenë në vitin 2015-të në festën e Digitalb. Që në atë kohë as nuk e kam takuar më dhe as nuk kam folur më. Unë u zhgënjeva si të gjithë me atë që ndodhi", tha fillimisht ai.

I pyetur më pas për fotografinë për Veliajn, Binaj u shpreh:

"Me Veliajn janë fotot në 2014 ose 2015. Nuk e mbaj mend mirë. Ka qenë një rast që ka qenë shumë i bukur për t'u treguar. Më merr një zonjë në telefon dhe më thotë që punon tek zyra e pritjes së moshës së tretë… ne organizojmë mbledhim ushqime dhe më fton të bëjmë një takim me ta. Shkoj atje takoj pleq, gëzimi madh, përqafime, njëri prej tyre më ngjasonte me gjyshin. Teksa i shërbeja pleqve shoh një hije që vlen shpejt, e thotë “Lal shkrepe shpejt”, dhe nuk dija si të reagoja. Nuk e dija që ishte aktivitet i Veliajt, çfarë duhet të thoja, duhet t’i thoja pleqve që hiqni çapën e bukës se erdhi ky. Veliaj në atë kohë nuk ka qenë kështu, që nga ajo kohë ne nuk kemi qenë më bashkë”, u shpreh Binaj.

 

 


Video