Çfarë ndodhi në takimin mes Begajt, Escobar dhe Yuri Kim që u "shkrinë" së qeshuri? (FOTO)

11 April 2023, 18:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çfarë ndodhi në takimin mes Begajt, Escobar dhe Yuri Kim
Bajram begaj, Gabriel Escobar dhe Yuri Kim

I dërguari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ndodhet ditën e sotme për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Fillimisht ai është pritur në Kryeministri ku ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura për rreth 20 minutra me kreun e qeverisë Edi Rama. Mësohet se tematikë e diskutimit kanë qenë zhvillimet politike në vend dhe zgjedhjet vendore të cilat do të mbahen në 14 maj.

Më pas, në orën 17:00, Gabriel Escobar është drejtuar drejt Presidencës për një takim me kreun e shtetit Bajram Begaj. Në takimin me presidentin, ai ka qenë i shoqëruar edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

LSA ka publikuar foto nga takimi mes Bajram Begajt dhe Gabriel Escobr. Nuk dihet se çfarë është diskutuar, mirëpo duket se takimi ka shkuar shumë mirë pasi të gjithë janë shumë të qeshur.

Ditën e nesërme Escobar do të takojë në orën 10:00 Enkelejd Allibeajn dhe më pas do takojë në seli kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried.

Njoftimi i Presidencës për takimin mes Begajt dhe Escobar:

Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin sot në qendër të takimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe njëkohësisht i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.

Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, Presidenti Begaj, nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj, vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij” – nënvizoi Presidenti Begaj.

Duke u ndalur tek sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Presidenti Begaj, nënvizoi gjithashtu, se “falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga Bashkimi Evropian, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni.

Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Presidenti Begaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë.



Video