
Në media po qarkullon këtë të enjte një lajm, ku pretendohet se Erion Braçe do të largohet para nisjes së fushatës nga Qarku i Fierit dhe shkak ishte përplasja e fortë e tij me strukturat e Partisë Socialiste.
Sipas lajmit, që fillimisht buroi nga televizioni i Bashkim Ulajt dhe që më pas u fshi, Erion Braçe mund të transferohet në njësin 5 në Tiranë për të përforcuar fushatën në krah të ministres së Bujqësisë, Anila Denaj.
Bashkëpunimi me Anila Denajn (të cilën Erion Braçe e ka kritikuar dhe sulmuar në Kuvend dhe komisionin e ekonomisë për mungesën e mbështetjes së fermerëve) ishte pikërisht detaji që ne në Voxnews.al na bëri të dyshojmë mbi vërtetësinë e këtij lajmi.
…dhe në mungesë të një reagimi nga vetë deputeti u interesuam pranë stafit të tij paraelektoral në zonën e Divjakës. Burime nga ky staf pohuan për Voxnews.al në kushte anonimiteti se vetë Erion Braçe ua ka mohuar lajmin, madje edhe vetë ai është habitur kur e ka parë këtë lajm. Braçe ka siguruar bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Divjakë se as do të lëvizë dhe as ka ndërmend që të lëvizë prej zonës aktuale.
Burimet pohojnë se Braçe ka pasur një telefonatë të tensionuar me drejtuesit e tjerë të fushatës elektorale të socialistëve në Qarkun e Fierit, por pa dhënë më shumë detaje nëse përplasja ka qenë me zv.Kryeministren Belinda Balluku, që është edhe drejtuesja politike e PS në këtë qark.
Sipas burimeve, nga përmbajtja e bisedës së Erion Braçes kuptohet se përplasja ka lindur prej postimeve denoncuese të tij në rrjetet sociale. Se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, burimet e Voxnews.al nuk japin më shumë detaje.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.