Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, i cili tha se deputeti demokrat po e shantazhon pasi po verifion "Divjaka Resort" që sipas tij, është strehë e Bardhit.
Në një reagim në Twitter, Bardhi shkruan se deklarata e Kokoneshit, është e njëjtë me atë të Agim Kajmakut dhe Valdrin Pjetrit.
Sipas Bardhit, ligji i dekriminalizimit është prioritet dhe grupi parlamentar i PD-së është i vendosur për të pastruar politikën nga rekordet kriminale.
"Lexova një reagim të një trafikanti qëniesh njerëzore të denoncuar nga vetë PS dhe mu kujtua Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku në akuzat ndaj meje. Ishte e njëjta gjuhë dhe të njëjtat argumente. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është prioritet dhe grupi parlamentar i PD ka qenë dhe do mbetet i vendosur për të pastruar politikën nga personat me rekorde kriminale. Trafikantët dhe të korruptuarit duhet të jenë në burg dhe jo në krye të institucioneve." shkruan Bardhi.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i ka kërkuar sot Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e Fredi Kokoneshit, kryetarit të Bashkisë Divjakë, për shkak se sipas PD-së rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qënieve njerëzore në Itali.
15 deputetë të PD i kërkojnë organit të prokurorisë që të ndjek procedurat sipas ligjit të dekriminalizimit.