Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel thotë se Europa duhet të zgjerohet në vitin 2030 me shtetet që kanë më shumë se 20 vjet që presin të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Deklaratën, Michel e bëri gjatë fjalës së tij në Forumin Strategjik Bled të Sllovenisë.
“Ne duhet të flasim për kohën, duhet të flasim për detyrat tona të shtëpisë dhe unë kam një sugjerim ndërsa përgatitim axhendën e ardhshme strategjike të BE-së”, tha Michel.
“Ne duhet t'i vendosim vetes një objektiv të qartë: Unë besoj se duhet të jemi gati nga të dyja palët deri në vitin 2030. për t'u zgjeruar”, tha ai, duke marrë duartrokitjet e sallës.
Michel tha se lufta në Ukrainë “ka treguar se paqja dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena”.
“Kjo luftë nuk po shkatërron vetëm Ukrainën: kjo luftë ka një ndikim të thellë në të ardhmen e kontinentit tonë. Ka një ndikim të thellë në sigurinë globale”, tha ai.
Përditësimi i rregullt i zgjerimit të BE-së pritet në tetor, kur zyrtarët e BE-së pritet të raportojnë mbi përparimin në negociatat me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor që kanë pritur për më shumë se dy dekada, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Kosova.