“Bufi i Tiranës nuk është si bufi i grekëve”, Rama: Me pasaportën e BE do të uleni në çdo tryezë të Europës përgjithmonë si shqiponja

30 March 2025, 17:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Bufi i Tiranës nuk është si bufi i grekëve”,
Edi Rama ne Athine

Kryeministri Edi Rama, në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë, u shpreh se me pasaportën e Bashkimit Europian, ata do të ulen “në çdo tryezë të Evropës përgjithmonë si shqiponja”.

“Me këtë pasaportë, ti ke mundësi të qëndrosh këtu (Greqi), ose të shkosh në çdo vend të Evropës dhe të respektohesh si i barabartë mes evropianësh. Kur prindërit e tu erdhën këtu, u detyruan të bëjnë shumë gjëra për të mbijetuar, për ta ulur kurrizin deri në tokë, për të mos e humbur betejën, të bëjmë punë që ti, biri apo bija jonë as nuk mund t’i imagjinosh sot që i ke të gjitha të mirat, dhe të duket se jeta ka qenë gjithmonë kështu, por këto i bëmë për ty e ju, dhe tani jemi të lehtësuar sepse juve duhet ta respektoni kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë se është vendi që ju ka adoptuar po ama s’keni nevojë që shqiponjën në flamurin e kuq ta harroni apo aq më keq ta ndërroni”, tha Rama.

Kryeministri shtoi: “Ju jeni shqiponja dhe do të jeni gjithmonë shqiponja. Me pasaportën evropiane të shqiptarëve, ju do të uleni në çdo tryezë të Evropës përgjithmonë si shqiponja. Ashtu sikundër në të gjitha tryezat ku mblidhet Evropa, përfaqësuesit e shteteve janë poshtë dhe lartë nëpër ballkon janë përkthyesit e të gjitha gjuhëve, ashtu do të jetë edhe përkthyesi i shqipes, kur përfaqësuesi i Shqipërisë të flasë shqip dhe të tjerët të vënë kufjet për të dëgjuar. Ky është momenti, sepse sot për herë të parë, që kur kemi filluar këtë rrugëtim, Shqipëria ka filluar rrugëtimin kolektiv, ju keni bërë këtu përpjekjet për t’u integruar, Shqipëria i ka bërë përpjekjet për t’u integruar në botën e madhe”.

“Për herë të parë Bashkimi Europian thotë se jemi gati që brenda 2027 të mbyllim marrëveshjen me ju dhe brenda kësaj dekade të jemi bashkë. Kjo ka ardhur si pasojë e atyre që kemi bërë ne, e këmbënguljes tonë, që na shikonin në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin e zakonshëm me bezdi dhe në të keqin me përçmim, në një situatë kur na shikojnë me respekt dhe besim. Por kjo ka ardhur edhe si rezultat ku është sot Evropa. Për këtë arsye nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE, por edhe BE ka hapur një derë dhe thotë ejani hynë një orë e më parë”, deklaroi më tej Rama.

Edi Rama ironizoi edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën. Rama u shpreh se "bufi i Tiranës" nuk është si bufi i grekëve apo romakëve, që ishte simbol i urtësisë, por është peshqesh nga komunizmi.

“BE me ne është angazhuar në negociata. Janë 1 mijë vajza e djem që punojnë çdo ditë. Më 15 Maj, BE i gjithi vjen në Tiranë. Në datën 16 maj, vijnë edhe të gjithë liderët e Evropës jashtë BE-së, që nga Britania e Madhe, Turqia, Ukraina dhe Azerbajxhani dhe Sekretari i NATO-s. Çfarë ndryshimi ka midis një mesazhi të 11 majit, ku shqiptarët pa dallim partie, i çojnë Evropës mesazhin që ne të gjithë duam të hyjmë në BE, dhe një mesazhi të paqartë. Pastaj, imagjinoni që atyre t’u rishfaqet "bufi i kënetës" si një bashkëbisedues. Imagjinoni Evropa dhe NATO që bashkëbisedon me "bufin e kënetës". Jemi në Athinë dhe bufi kishte thënë një ditë që jam krenar të jem buf sepse bufi ka qenë simboli i Athinasë dhe i Minervës dhe bufi ka qenë simboli i urtësisë dhe i bukurisë. I duket vetja edhe i bukur. E dini vetë se sa superseksi është. Por, problemi është që nuk bëhet fjalë për të njëjtin buf, bufi i grekëve dhe romakëve ishte ai që quhet bufi i vogël, ndërkohë që ky bufi ynë është ai për të cilin populli thotë "ç’më rri akoma aty o buf kënete". Ai bufi i urtësisë, ai rri në male dhe ullishta, ndërsa ai i yni mbretëron në një llum që e ka penguar Shqipërinë dhe penguar shqiptarët për kaq shumë vite", tha Rama.

"Atë bufin në Tiranë nuk e kemi trashëgimi nga qytetërimi ynë i vjetër, por peshqesh nga diktatura komuniste", shtoi kryeministri.


Video