Blinken telefonon me ministrin e Jashtëm francez: Parisi të mbështesë integrimin e Shqipërisë

27 April 2022, 20:41Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Blinken telefonon me ministrin e Jashtëm francez: Parisi të
Antony Blinken me homologun francez Jean-Yves Le Drian

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në telefonatën e tij të urimit për ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian – për fitoren e Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale – ka diskutuar mbi integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari dhe ministri i Jashtëm folën për intensifikimin e mbështetjes ndaj këtyre dy shteteve në rrugëtimin evropian.

Po ashtu, të dy diskutuan ofrimin e ndihmës dhe sigurisë për forcat e armatosura të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh kanë nënvizuar se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian dhe kanë bërë thirrje që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë pa vonesë.

Gjithashtu zyrtarët amerikanë kanë theksuar se anëtarësimi në BE, do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të konsolidojnë institucionet demokratike, të mbrojnë të drejtat themelore dhe të zbatojnë shtetin ligjor.


Video