Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mban një fjalim përpara protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë.
“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë".
Berisha tha se opozita e viteve të fundit ka qenë maratonë jo e lehtë.
“Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë”, shtoi ai.
“Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim. Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve”, theksoi Berisha.
Sali Berisha gjatë fjalimit të tij përpara protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, u shpreh se diktaturat nuk ikin me votë, por me revolta.
“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë, diktaturat nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben, me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore dhe ja ku jemi ne sot”, u shpreh kryedemokrati.
Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke thënë se “sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.”