Berisha komenton për herë të parë “marrëveshjen” me PS: Edi Rama fitoi më shumë nga bojkoti që i bëmë ne parlamentit

13 March 2024, 20:10Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha komenton për herë të parë
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas të ashtuquajturës marrëveshje që grupimi i tij arriti me maxhorancën socialiste.

Nga dritarja e banesës së tij, Berisha, në një farë mënyre ka pranuar se bojkoti i parlamentit nuk i ka sjellë opozitës asnjë të mirë, duke u shprehur se "ka qenë Edi Rama ai që ka përfituar më tepër nga ky bojkot".

Berisha është zotuar se “askush nuk do të shpëtojë”, nga dy komisionet hetimore parlamentare, që PS-ja i lejoi të ngrenë, në këmbim të mos-shkatërrimit të seancave plenare.

Komenti i Berishës:

Këto ditë në parlament është bërë dialog në mënyrë që të drejtat e opozitës të respektohen.

Dua të sqaroj ju dhe çdo shqiptar se nuk është opozita ajo që ka shkelur të drejtat kushtetuese, as të vetat, as të kujt tjetër.

Është Edi Rama, i cili nuk pranon të respektojë të drejtat kushtetuese.

Në këto rrethana ai ka vetëm një qëllim dhe ky qëllim është që opozita të bojkotojë parlamentin.

Sepse, duhet të jemi realistë, në mënyrë makabër ai fitoi më shumë se kushdo tjetër nga bojkoti i parlamentit nga opozita.

Mirëpo unë i them sot Edi Ramës këtu para jush dhe në emër tuaj se opozita nuk braktis parlamentin, por opozita do bëjë çdo gjë për të drejtat e saj kushtetuese në parlament dhe kudo.

Prandaj dhe Edi Rama, ti ke frikë dhe tmerr nga komisionet hetimore.

Nuk ka forcë në botë që të shpëton prej tyre.

Le të vijë kushdo në mbrojtje tënde, ti do përfundosh para atyre komisioneve sepse ke vjedhur këtë komb, këtë vend sa askush tjetër në histori.


Video