Kreu i PD, Lulzim Basha përkujtoi sot edhe Komandantin Legjendar, Adem Jashari, në ditën e lindjes së tij. Së bashku me një grup deputetësh, Basha bëri homazhe pranë varrit të Adem Jasharit në Prekaz dhe familjes Jashari.
"Ndërsa sot gëzojmë frytet e lirisë, e mes sfidash po ndërtojmë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, kujtojmë dhe përulemi me nderim përpara sakrificës sublime të Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili vuri gjakun e tij dhe të familjes së tij në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur", tha Basha pasi vendosi kurora me lule në Memorialin e familjes Jashari.
"Duke nderuar sakrificën e tyre, - tha ai, - të gjithë duhet të kujtojmë përgjegjësinë tonë për të çuar në fund amanetin e të rënëve, për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë që fituam me gjak, për një komb në paqe, të sigurt dhe të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve në cilindo vend që jetojnë: Në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedoninë e Veriut e kudo anembanë botës".
Më herët Basha vizitoi kullën e Isa Boletinit për të kujtuar e nderuar të gjithë ata që kontribuan duke sakrifikuar jetët e tyre për lirinë dhe pavarësin e shqiptarëve.