Kryeministri Edi Rama thotë se është i pakënaqur me qeverisjen e tij, pasi Shqipëria ka një potencial edhe më të madh për të zhvilluar ekonominë, nga çfarë është bërë deri tani.
Nga qyteti i Vlorës, ku ka zhvilluar një takim me një grup socialistësh, Rama tha se qeverisja e tij ka bërë shumë gjëra, por vendi ofron më tepër potencial për të bërë edhe më shumë, dhe kjo tha ai “e mban zgjuar”.
Rama tha se nëse shumë reforma dhe ndryshime do të ishin bërë 25 vite më parë, vendi do të ishte shumë herë më para nga sa është sot.
“Jam i pakënaqur, sepse mendoj që ka shumë për të bërë akoma. Mendoj që ekonomia sot është më mirë nga çfarë ka qenë më parë. Sikur këto reforma, ndryshime, korrektime të ishin bërë 25 vite më parë, imagjinoni çfarë bisedash duhet të ishim duke bërë sot.
Duhet shumë më tepër, ne për këtë punojmë dhe kjo është gjëja që mua më mban zgjuar. Se jam i bindur që potenciali i këtij vendi ka filluar të çlirohet, por jam i bindur që potenciali është shumë më i madh, ndaj duhet të bëjmë më shumë që këtë potencial ta çlirojmë më shpejt, në mënyrë që të sjellë më shumë të ardhura për familjet shqiptare”, u shpreh Rama.