
Një e treta e kandidatëve të Berishës e Bashës në zgjedhjet e pjesshme vendore akuzohen se ndalohen nga ligji i dekriminalizimit, jo nga socialistët por nga vetë Berisha e Basha.
Lojën e të "kriminalizuarve" që s'duhen votuar në 6 mars e hapi Sali Berisha, kur akuzoi kandidatin e Bashës në Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi. Saraçi është dënuar në 1999 në Itali për armëmbajtje pa leje dhe deklaron edhe ndryshimin e emrit nga Fredi në Ferdinand.
Basha iu kundërpërgjigj me denoncimin e Bardh Spahisë, që "njollën në biografi" e mori pikërisht për mbrojtjen e kauzës së nisur nga Lulzim Basha pas djegies së mandateve. Spahiu u proceduar për mosbindje ndaj policisë dhe shkatërrim të pronës me zjarr gjatë protestave për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Mediat pranë Berishës kaluan më pas te emri i Imer Markut, që Basha e ka kandiduar në Vorë. Marku e ka dorëzuar formularin 'qelibar', por në media thuhet se ai është akuzuar e gjykuar për fshehje pasurie e deklarim të rremë kur drejtonte komunën e Bërxullës.
Radhën e mori PD zyrtare, që denoncoi djalin e ish-deputetit të vet, Elton Banon.Ai është djali i Ilir Banos.
Denoncimet janë një tjetër konfirmim se sa larg kanë shkuar akuzat e përplasja mes Bashës e Berishës, që sot po korrin veten me atë që mbollën në 2015 për të korrur Ramën; dekriminalizimin.