Bardhi “zbulon” mesazhet: Balla ngatërroi grup, skenari i përjashtimit tim…

16 Tetor 2025, 17:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përjashtimit të tij nga seanca plenare, duke akuzuar mazhorancën se ka ndërtuar paraprakisht një skenar për të shmangur debatet në Kuvend.

“Skenari i përjashtimit të opozitës nga seanca ishte ndërtuar shumë kohë më para se Niko Klouni të dilte ta shpallte në seancë. Gabimisht, Taulant Balla, në vend që të shkruante tek Grupi i PS, shkruan te Grupi i Konferencës së Kryetarëve në Kuvend dhe urdhëron të gjithë drejtuesit e institucioneve të veta që të kujdesen për të sjellë në sallë deputetët e PS”, deklaroi Bardhi para gazetarëve.

Ai theksoi se mazhoranca kërkon të shmangë çdo debat për raportimet e institucioneve të drejtësisë dhe për aferat korruptive.

“Duan të kalojnë pa debat, pa pyetje dhe pa llogaridhënie raportimet e institucioneve të drejtësisë. Donin të vendosnin një standard të ri që nuk ka ndodhur kurrë, që institucionet të vijnë e të raportojnë dhe deputetët të mos kenë të drejtë të bëjnë pyetje. Ndaj dhe unë reagova, dhe do të reagoj gjithmonë”, u shpreh ai.

Bardhi e cilësoi përjashtimin e tij si një përpjekje për të mbyllur gojën e opozitës: “Nuk duan debat për paratë që i kanë vjedhur si një bandë kriminale me inceneratorët dhe duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë se mund të më nënshtrojnë dhe të shkelin rregulloren. Ta marrë vesh bota që ky është Kuvendi i Shqipërisë, që synon të hyjë në BE”.


Video