Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me shkrimin e medias gjermane focus.de, që hidhte akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku si të përfshirë në aferën e Portit të Durrësit, duke favorizuar një kompani kroate fiktive dhe me lidhje të mundshme kriminale në Ekuador dhe Kolumbi.
Bardhi bën thirrje për SPAK që të nis hetimet mbi këtë aferë.
“Belinda Balluku tregohet me gisht nga një prej mediave më serioze gjermane mbi një procedurë koncesione që favorizon një kompani kroate fiktive dhe me lidhje të mundshme kriminale! Ky është shkrimi i dytë në pak ditë mbi këtë aferë të dyshuar kriminale dhe duhet të shërbejë si nxitje për SPAK për të hetuar në mënyrë të plotë dhe të shpejtë”, deklaroi Bardhi.
Media gjermane focus.de ngrinte hije dyshimi mbi kompaninë kroate “Schapha d.o.o.” që ka marrë me koncesionin e portit. Sipas medias gjermane, “Schapha d.o.o. është një kompani fiktive me lidhje të ngushta me aktorë të fuqishëm kroatë dhe interesa shqiptare. Qëllimi i saj duket se është sigurimi i kontrollit mbi portin e ri strategjik Porto Romano”.
“Focus” ngre hije dyshimi edhe mbi ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që sipas medias gjermane, të gjitha veprimet janë kryer në dijeninë e saj. Sipas medias gjermane, kompania kroate po përdoret si fasadë nga një oligark lokal shqiptar, “me mbështetjen e menaxherëve rajonalë të MAERSK, mund të sigurojë të drejtat ekskluzive për menaxhimin e portit të ri për 45 vitet e ardhshme”.
Media gjermane, nuk ndalet me kaq, por vë në dukje se “pronarët e Schapha d.o.o. kanë lidhje me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Burime të ndryshme shprehin shqetësime se këto vende mund të përdoren si pika strategjike për rrugët e trafikut të drogës, duke përfshirë Shqipërinë, e cila tashmë monitorohet nga DEA”.