Berisha u përmend Fredi Belerin shqiptarëve të Greqisë, flet edhe për çështjen e detit

28 Nëntor 2024, 20:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kreu i PD, Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një komunikim me shqiptarë të Greqisë, ku deklaroi se partia e tij “është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë” me shtetin fqinj.

Berisha preku edhe disa çështje që konsiderohen si të nxehta mes dy vendeve, si marrëveshja e ndarjes së ujërave detare.

Lidhur me këtë, Berisha tha se marrëveshja për 12 milje e qeverisë së kryeministrit Edi Rama është “shumë më e pafavorshme” se ajo që negocioi qeveria e tij.

“Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit”, tha Berisha.

Më tej ai foli edhe për Fredi Belerin, për të cilin tha se “e burgosi Rama”, pasi ai nuk pranoi të kandidonte nën logon e Partisë Socialiste.

"Çfarë ishte beteja me Fredi Belerin? Ua them unë ju që ta dini të gjithë. Absolutisht për refuzimin e Belerit për të kandiduar për PS-në. E thirri në kryeministri, jo, tha ai, jam i djathtë, nuk pranoj të kandidoj për ty. Dhe filloi beteja. Krijoi një sherr, një grindje në të cilën Shqipëria absolutisht nuk kishte të drejtë, përveçse përdori gjykatën për procese të mirëfillta politike kundër tij dhe dëshmitarë të rremë, dëshmitarë të paguar për të gënjyer në procesin e tij", tha Berisha.

Në fund, ai kërkoi votën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke thënë se "është e rëndësishme dhe jetike për të ardhmen e vendit".

Video