Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla ka vizituar sot qytetin e Shkodrës i shoqëruar nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë takimit me drejtues vendorë të policisë në Shkodër, Balla ka kërkuar të mos bëhet asnjë tolerim ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, ndërtimeve pa leje në zonat urbane dhe ato turistike.
“Të intensifikohet puna për goditjen e grupeve kriminale në Shkodër”, ka deklaruar ndër të tjera Balla.
“Sot gjatë takimit me strukturat drejtuese të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Policia duhet të marrë të gjitha masat që i takojnë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, të intensifikohet puna për goditjen e grupeve kriminale në Shkodër dhe pastrimin e alpeve nga kultivimi i lëndëve narkotike. Gjithashtu na duhet një vëmendje edhe më e shtuar ndaj fenomenit të ndërtimeve në qendrat urbane dhe ato turistike. Nuk duhet të ketë asnjë tolerim”, shprehet ministri Balla në një postim në rrjetet sociale.
Mësohet se pas Shkodrës, Balla dhe Rrumbullaku kanë nisur një tjetër takim me drejtues vendorë të policisë në Lezhë.
Shkodra konsiderohet si një prej qyteteve kryesore me aktivitet të lartë kriminal, i tronditur gjatë viteve të fundit nga një sërë ngjarjesh të rënda me natyrë mafioze.