Kryeministri Rama komentoi sërish çështjen e Portit në Porto Romano, për të cilin tenderi 400 mln euro u anulua për shkak se kompania e vetme në garë u tërhoq.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama tha se ky port është strategjik, i lidhur me korridorin VIII, ku sipas tij përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe Shkupit.
Ai theksoi se nuk ka asnjë shqetësim as nga aleatët, SHBA dhe BE, përkundrazi, sipas tij, projekti i ndërtuar nga Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s dhe pret të hyjë në filtrin politik.
Rama foli për faktorë të nëndheshëm që lidhet me trafiqet dhe faktorë të tjerë politik që nuk e duan këtë port, por theksoi se qeveria ka planin e shpejtë për të filluar ndërtimin.
“Këtë port të ri jo të gjithë e duan dhe e mirëpresin. Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm që lidhet me trafiqet, deri tek faktorët politik dhe të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë nuk kanë sesi ta mirëpresin, pasi në rastin më të mirë kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm është një faktor që merr pjesë nga sofra ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Një porti i ri i këtyre përmasave e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron një nyje strategjike të Evropës. Dua të them se pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht tërheqjes së kompanisë, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër, të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit”, tha Rama.