Alibia e dobët e Qeverisë për të mos ndërhyrë te çmimi i naftës

9 March 2022, 18:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Alibia e dobët e Qeverisë për të mos ndërhyrë te

“Në sistemin që kemi zgjedhur prej 30 vitesh, çmimet i vendos tregu dhe jo Qeveria”. Ky është refreni i përdorur nga Kryeministri Edi Rama për të ‘lartë duart’ nga rritja e çmimeve të naftës dhe ushqimeve.

Por, kur kjo thuhet nga Kryeministri dhe Qeveria që për thuajse tre muaj mbylli shqiptarët në shtëpi për shkak të pandemisë dhe qeverisi e miratoi tendera e koncesione miliona euroshe me akte normative, kjo tingëllon më shumë si alibi se sa si e vërtetë.

Në raste krizash (siç ishte pandemia dhe siç është kriza aktuale e çmimeve, që ekspertët ndërkombëtarë e krahasojnë me krizën e naftës të 1970-s) të gjitha qeveritë kanë mekanizmat e kapacitetet për të ndërhyrë dhe dallojnë nga njëra-tjetra vetëm nga rruga që vendosin për të ndërhyrë.

Kjo po ndodh në Serbi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Greqi. Vetëm në Shqipëri jo! Në Serbi, tregtarët nuk do të shesin naftën më shumë se 1.5 euro litri, ose rreth 190 lek. Diferenca do të kompensohet nga shteti dhe për këtë qëllim, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç njoftoi një fond fillestar prej 150 mln eurosh.

E njëjta gjë edhe në Maqedoni, ku veç kësaj u hoqën dhe reduktuan edhe taksat e vendosura për çdo litër naftë. Po kështu edhe në Greqi, ku Qeveria vendosi subvencionimin e familjeve me 300-400 euro në muaj për të përballuar krizën e çmimeve, si dhe rriti rrogën minimale me 100 euro.

Për të shkuar më larg Shqipërisë, qeveria franceze bllokoi rritjen e çmimit të gazit për të gjithë vitin 2022, duke u bazuar te parashikimet e Kodit Tregtar për masat e përkohshme të bllokimit të çmimeve në raste krizash dhe rrethanash të jashtëzakonshme.

Prandaj, nëse ‘ne jemi në luftë’, siç ka deklaruar shpesh Kryeministri Edi Rama këto kohë, në luftë nuk mund të zbatohen rregullat e tregut të lirë, aq më tepër në një treg të lirë të deformuar si i yni, me oligopole te karburantet, mielli dhe aktivitetet e tjera thelbësore ekonomike.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video