Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj zbuloi ditën e djeshme se deputeti Agron Gjekmarkaj do të niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tre ditë pasi të njëjtën deklaratë bëri ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se do të shkojë Gjekmarkaj në Uashington pasi Lulzim Bashës nuk i lejohet, Alibeaj e ka konfirmuar këtë udhëtim. I ftuar në “Kjo javë”, Alibeaj tha se Gjekmarkaj do të niset nesër në SHBA ku e presin takime të rëndësishmë.
“Po, është e vërtetë, Agron Gjekmarkaj, po e zbuloj, ai është një prej deputetëve që do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një prej tyre, e presin takime me rëndësi, nuk po zbuloj më shumë pasi do të jetë vetë ai personi që do të thotë më shumë rreth këtyre takimeve,”- tha Alibeaj.
Ditën e enjte ish-kryeministri Sali Berisha tha se Lulzim Basha ka dosje të hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dosjen “Nick Muzin” të parave ruse.
Në një prononcim për gazetarët nga oborri i Parlamentit, Berisha u shpreh se Basha u nis drejt SHBA-së dhe u kthye pas në Shqipëri pasi nuk shkon dot në Amerikë. Dhe sipas Berishës, arsyeja është dosja e hapur hetimore për paratë e rusëve.
Ndërkohë po atë ditë ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se drejtësia duhet të hetojë personat e shpallur ‘non grata’ nga SHBA.
‘Nëse ka një akuzë kaq të rëndë nga DASH, detyra e drejtësisë do të ishte që të kishte vepruar prej kohësh dhe të kishte nisur hetimet’- tha Basha. Nuk dihet ende nëse në të njëjtin avion me deputetin e PD, Agron Gjekmarkaj është edhe ish kryetari Lulzim Basha./VOXNews