Rithemelimi refuzoi platformën e tij, Alibeaj: Ndiqni verbazi udhëzimet e idhujve

16 April 2022, 15:28Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rithemelimi refuzoi platformën e tij, Alibeaj: Ndiqni verbazi
Enkelejd Alibeaj

Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur Grupit të Rithemelimit që refuzoi platformën e tij të bashkimit të demokratëve. Alibeaj thotë se është koha për vepra dhe jo për fjalë dhe se kujt grupim i intereson që të ndjekë verbazi udhëzimet e idhujve.

"Refuzimi i paralajmëruar i kërkesës së shumicës dërrmuese të Grupit Parlamentar për bashkim, vijimi me axhenden e parapërcaktuar si dhe mungesa e një reflektimi për situatën ku ndodhet sot PD është dëshmi e qartë e faktit se kujt grupim i interesojnë demokratët dhe kush priret të ndjekë verbazi udhëzimet e idhujve.

32 deputetë të grupit parlamentar të PD janë jo vetëm vota, por dhe zëri i demokrateve që sot më shumë se kurrë duan të ndalet procesi i përçarjes dhe të nisë bashkimi i vërtetë. Jo me fjalë por me vepra konkrete, në çdo qelizë të partisë dhe jo vetëm në zyrat e selisë qendrore.

Deputetët e PD duhet t’i shërbejnë vetëm interesit të demokratëve dhe interesi i tyre është bashkimi dhe forcimi i PD. Koha për të ndalur rrugën e përçarjes që i shërben vetëm Edi Ramës është tani. Koha për të treguar maturi dhe përgjegjshmëri është tani", shkruan Alibeaj.


Video