
Protestat në Francë janë përshkallëzuar sërish këtë të shtunë.
Përleshje kanë shpërthyer mes protestuesve dhe policisë në Marsejë, pranë Porte d’Aix një hark ku ishte planifikuar të përfundonte një marshim proteste i autorizuar, shkruan NYT.
Të rinj, shumë prej të cilëve me fytyra të mbuluara disa me maska kundër gazit ose maska skijimi tërhoqën pllaka të mëdha metalike në rrugë për të krijuar barrikada, ndërsa të tjerë hodhën gurë e shishe drejt policisë, ose ndezën fishekzjarrë në drejtim të tyre.
Policia hodhi sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe, në një moment, avancoi me mburoja e shkopinj gome, duke i zmbrapsur protestuesit.
Disa nga pjesëmarrësit në marshim vazhduan rrugën në një rrugicë aty pranë, ku shtëllunga gazi lotsjellës mbushën hapësirën, duke i detyruar turmat e protestuesve të ktheheshin me nxitim drejt sheshit.
Ndërsa në Paris vendndodhja e protestës u ndryshua në momentin e fundit. Megjithatë, mijëra e mijëra njerëz janë mbledhur në atë vend, në skajin juglindor të qytetit, për të protestuar.
Shumë njerëz ishin të zemëruar për ndryshimin e vendndodhjes.
“Është një strategji për t’i përçarë dhe dekurajuar njerëzit,” tha Vincent Charache, 35 vjeç, një punonjës bashkiak i cili udhëtoi dy orë me tren nga Nevers për të protestuar kundër hendekut gjithnjë e më të madh mes të pasurve dhe të varfërve në vend.
“Ata duan të na bëjnë të padukshëm në periferi të Parisit,” tha Meylan Eponoh, 19 vjeç, student i punës sociale, i cili kishte ardhur nga lagjet periferike lindore të qytetit për të protestuar kundër financimit të pamjaftueshëm të shkollave në zonat e banuara nga klasa punëtore.
Ai shprehu shpresën se protesta do të ndryshonte drejtim për të hyrë në qendër të qytetit.
Ndërsa në Orléans, demonstrata përfundoi në mënyrë paqësore, pa asnjë përplasje me policinë. Mijëra protestues, të cilët dolën në rrugë të shtunën në mëngjes, tani janë mbledhur në një zonë ku vullnetarët shesin ushqime dhe pije.
Politikanë përfshirë kryetarin e bashkisë së Trappes, Ali Rabeh dhe nxënës të shkollave të mesme po mbajnë fjalime në një skenë, duke nxitur brohoritje nga turma.
Deri më tani, të shtunën, policia ka arrestuar 135 persona, sipas zyrtarit të Ministrisë së Brendshme franceze, Laurent Nuñez.
Shumica u ndaluan gjatë kontrolleve policore për shkak të posedimit të armëve ose mallrave të tjera të ndaluara.
Mes tyre, tha ai, kishte pajisje për lëshimin e fishekzjarrëve dhe një shpatë japoneze të stilit samurai.
Nuñez vlerësoi se në mbarë vendin kishte 35,000 njerëz në rrugë, një shifër më e ulët krahasuar me të njëjtën kohë të së shtunës së kaluar. “Do të mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë gjatë pasdites së sotme,” shtoi Nuñez. Ndërsa 70 mijë forca të policisë janë në terren.