
Moderatorja Neda Balluku ka bërë sërish një postim prekës për djemtë e saj, të cilët prej disa kohësh nuk mund t'i takojë.
Në një shkrim në "Instagram", Neda shprehet se ndihet e lodhur, e humbur dhe e pashpresë, ndërsa pret për kthimin e tyre. Mes rreshtave, ajo rrëfen se nuk i ka takuar djemtë, të cilët jetojnë me babain e tyre, pas divorcit.
“Kur çunat nuk vijnë, mosha ime ndalet. Çdo rrudhë shfrytëzon ajrin që mungon dhe veten ripërtërin. Papritur unë jam më e re, më e vogël, më e dobët, më e brishtë, por më e lodhur, më në pritje, më e humbur dhe më pa shpresë. E megjithatë, ende nënë. Mund të isha motër fare mirë apo edhe bijë (imagjino!) por mbetem nënë. Pa rrudha. Pa shenjën e bisturisë në fund të barkut. Por me emrat e tyre brenda meje gjithmonë. Kur çunat nuk vijnë, asnjë fjalë nuk është shkruar asnjëherë dhe unë kurrë nuk kam lexuar. Se nuk kam si të kem lexuar kur çunat nuk vijnë, dhe unë nuk lexoj dot shprehitë e fytyrës së tyre. Buzëqeshjen e pavullnetshme të Zait sapo më sheh dhe luftën që nis me veten për ta përmbajtur. Apo ngrysjen e vetullave të Serzhit, tërësisht gjurmë flagrante e ngjashmërisë që ka me nënën e tij. Kur çunat nuk vijnë, të tjerët më pyesin se çfarë po pres. Të tjerët më thonë mos e shkruaj atë që ndjen. Të tjerët më thonë të tjera gjëra. Por askush dhe asgjë nuk vlen as sa çunat, qoftë edhe kur nuk vijnë. Edhe mungesa e tyre është prani.”- shkruan ajo.
Kujtojmë se moderatorja pati një ndarje të bujshme nga bashkëshort i saj, Ogren Balluku, vëllai i ish-zv.kryeministres, Belinda Ballluku. Ndarja e tyre madje përfundoi në dyert e drejtësisë, me akuza për dhunë.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj.
Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Ogren Balluku, ai që kërkoi urdhër mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.