Vetëm 9 ditë pas emërimit, drejtoresha e Burgjeve Sadleva Bodo nis serinë e dorëheqjeve në administratë

23 October 2026, 10:57Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vetëm 9 ditë pas emërimit, drejtoresha e Burgjeve Sadleva Bodo

Sadleva Bodo

Ka nisur që në orët e para të mëngjesit zbatimi i urdhrit të kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve shtetërore. Një nga të parat që ka dorëzuar dorëheqjen është drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, e cila ishte emëruar në këtë detyrë vetëm nëntë ditë më parë.

Bodo është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në Ministrinë e Drejtësisë, ku ka dorëzuar dorëheqjen, në zbatim të kërkesës së kryeministrit të përcjellë përmes ministrit Toni Gogu.

Rasti i saj është ndër më të veçantët e kësaj vale largimesh, pasi Bodo u emërua më 14 tetor, me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zëvendësuar Adriatik Kupin, i cili kishte dhënë dorëheqjen pas rreth shtatë muajsh në detyrë.

Vetëm nëntë ditë më vonë, edhe pasardhëses së tij i është kërkuar të ndjekë të njëjtën rrugë, pa pasur ende kohën e nevojshme për të dëshmuar rezultatet e punës së saj në krye të sistemit të burgjeve.

Dorëheqja e Bodos vjen një ditë pas mbledhjes së zhvilluar rreth orës 15:00 në Ministrinë e Drejtësisë, ku Toni Gogu u ka komunikuar drejtuesve të institucioneve në varësi kërkesën për largimin nga detyra.

Siç raportoi më herët Vox News, urdhri i Ramës përfshin drejtuesit e institucioneve të varësisë në të gjitha ministritë, nga Tatimet dhe Doganat te agjencitë shtetërore dhe kompanitë publike të sektorëve strategjikë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Vox News, procesi i dorëheqjeve do të zhvillohet duke nisur nga ora 08:00 e kësaj të premteje dhe duhet të përfundojë deri të hënën, më 26 tetor.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me drejtuesit që paraqesin dorëheqjen, nëse disa prej tyre do të rikonfirmohen në detyrë apo do të zëvendësohen me emra të rinj.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video