
Për herë të parë në Shqipëri synohet të aplikohet një TVSH e reduktuar për ushqimet e shportës ushqimore.
Me paketën fiskale 2027, qeveria propozon që TVSH-ja për këto produkte të ulet nga 20% në 6%, duke përfshirë produkte të shportës ushqimore, si: buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
Lista e detajuar e produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshimet e propozuara synojnë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, një kërkesë e vazhdueshme e prodhuesve vendas të mallrave të konsumit dhe importuesve.
Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar”.
“Ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare”, theksohet në relacionin e projektligjit.
Por, krahas lehtësimit të propozuar për produktet e shportës ushqimore, projektligji parashikon rritjen e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%.
“Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik”, vlerësohet në relacion.
Ndryshime parashikohen edhe për sektorin e turizmit, ku norma e TVSH-së propozohet të rritet nga 6% në 10%. Prej vitit 2017 për sektorin e turizmit aplikohet norma e reduktuar e TVSH-së prej 6%.
Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji parashikohet të sjellë efekte financiare negative në buxhetin e shtetit, konkretisht rreth 1,6 miliardë lekë.
Efekti nga rritja e shkallës standarde të TVSH-së në 21%, vlerësohet pozitiv, rreth 10,6 miliardë lekë. Efekti nga ulja e shkallës së TVSH-së për produktet e shportës në 6%, vlerësohet negativ, rreth 12,8 miliardë lekë. Ndërsa, efekti nga rritja e shkallës së reduktuar të TVSH-së për sektorin e turizmit në 10 %, vlerësohet pozitiv, rreth 614 milionë lekë.
Kontabilistët pohuan për Monitor se rritja e përgjithshme e TVSH do të prekë shumë sektorë, përfshirë transportin, të materialeve të ndërtimit dhe të turizmit.
Projektligji dhe relacioni për ndryshimet e shkallës së TVSH
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 92/2014, ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1 dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë:
Neni 1
Në nenin 48 “Shkalla standarde”, togfjalëshi “…20 për qind.” zëvendësohet me togfjalëshin “…21 për qind.”.
Neni 2
Në nenin 49 “Shkallët e reduktuara” bëhen ndryshimet dhe shtesa si më poshtë:
Në pikën 3, togfjalëshi “…6 për qind.” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 për qind.”.
Në pikën 4, togfjalëshi “…6 %…” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 %…”.
Në pikën 5, togfjalëshi “…6 për qind…” zëvendësohet me togfjalëshin “…10 për qind…”.
Pas pikës 10, shtohet pika 11 me këtë përmbajtje:
“11. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e produkteve ushqimore, si bukë dhe miell; qumësht dhe kos natyral; vezë; oriz; makarona; vaj ushqimor; mish pule; mish viçi/derri; peshk bazë; fruta të freskëta; perime të freskëta; bishtajore; sheqer; ushqime bazë për foshnja, është 6 për qind. Lista e detajuar e produkteve ushqimore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Në nenin 146 “Objekti i skemës së kompensimit”, pika 3, hiqet togfjalëshi “…, me shkallë standarde 20 për qind”.
Neni 4
Në nenin 155/3 “Pagesa e TVSH-së”, pika 2, hiqet togfjalëshi “Deri më 31 dhjetor 2026…”.
Neni 5
Pas nenit 155/3 “Pagesa e TVSH-së”, shtohet neni 155/4 me përmbajtje si më poshtë:
“Neni 155/4
Afati i zbatimit
Regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë, sipas këtij seksioni, zbatohet deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2027.
1.Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore:
Produktet ushqimore janë pjesë e domosdoshme e konsumit të përditshëm të familjeve dhe përbëjnë shpenzime që nuk mund të shmangen. Për këtë arsye, ndryshimi i çmimeve të këtyre produkteve ndikon drejtpërdrejt në buxhetin familjar dhe në aftësinë e familjeve për të përballuar nevojat bazë ushqimore.
Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH-së prej 6% për produktet ushqimore synon të ulë barrën tatimore mbi këtë kategori konsumi dhe të kontribuojë në përmirësimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, veçanërisht të familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duke qenë se TVSH-ja përfshihet në çmimin përfundimtar të produkteve, ulja e shkallës tatimore krijon premisa për uljen e çmimeve të shitjes nga subjektet që operojnë në sektorin ushqimor. Pavarësisht aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, subjektet tatimpaguese gëzojnë të drejtën e plotë të zbritjes së TVSH-së së paguar për mallrat dhe shërbimet në funksion të aktivitetit të tyre të tatueshëm.
Kjo masë merr rëndësi të veçantë edhe në aspektin social, pasi familjet me të ardhura më të ulëta priren të shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për plotësimin e nevojave bazë ushqimore. Në këto kushte, ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare.
Ndryshimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për shërbimet e akomodimit, hotelerisë me status special dhe agroturizmit në 10 %:
Prej vitit 2017 e në vijim, sektori i turizmit ka përfituar nga një sërë masash lehtësuese fiskale, me synim nxitjen e zhvillimit të tij, siç është edhe aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për kategoritë e mëposhtme të furnizimeve:
-furnizimi i shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit.
-çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.
-furnizimi i shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjashtim të pijeve, nga strukturat që zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit.
Duke marrë në konsideratë zhvillimin dhe maturitetin aktual të sektorit të turizmit, si dhe nevojën për të garantuar një raport më të ekuilibruar ndërmjet mbështetjes fiskale për bizneset dhe të ardhurave të buxhetit të shtetit, është vlerësuar rishikimi i shkallës aktuale të TVSH-së për këtë sektor, nga 6 për qind në 10 për qind. Rritja e propozuar synon të kontribuojë jo vetëm në të të ardhurat buxhetore, por edhe të ruajë njëkohësisht trajtimin mbështetës për këtë sektor.
Gjithashtu, krahasuar me vendet e rajonit që e kanë të zhvilluar sektorin e turizmit, norma e reduktuar e TVSH-së, është mbi 9 për qind, konkretisht Italia aplikon një shkallë të reduktuar prej 10 për qind, Greqia dhe Kroacia, përkatësisht prej 13 për qind, ndërsa Mal i ZI, se fundmi e ka rritur atë në 15 për qind.
Po kështu, referuar misionit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është rekomanduar rishikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit. Sipas analizës së kryer nga FMN, ka rezultuar se përfitimi fiskal mund të jetë përthithur kryesisht nga operatorët ekonomikë, në formën e të ardhurave shtesë, pa krijuar domosdoshmërisht një nxitje të re për turistët.
Zhvillimi i sektorit të turizmit në Shqipëri përgjatë viteve të fundit nuk mund t’i atribuohet vetëm politikës së shkallës së reduktuar të TVSH-së, pasi rritja e aktivitetit turistik ka nisur edhe përpara zbatimit të kësaj mase dhe është ndikuar nga faktorë të tjerë, si për shembull përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e përgjithshme e kërkesës turistike.
Në vijim të sa më sipër, propozohet rritja e shkallës së reduktuar të TVSH-së nga 6% në 10%. Kjo masë synon të kontribuojë në rritjen e të ardhurave buxhetore, dhe përmirësimin e konkurrencës.
Ky propozim, nuk bie ndesh as me Direktivën e Këshillit Evropian 2006/112/EC mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar, e ndryshuar, referuar përcaktimeve në nenin 98 dhe aneksin III të saj.
Ndryshimi i shkallës standarde të TVSH-së, në masën 21%:
Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik.
Gjithashtu, ky propozim mbështetet mbështetet edhe në eksperiencën e vendeve evropiane, ku shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar e aplikuar varion nga 17-27%. Ndërsa në vendet e rajonit, kjo shkallë varion nga 17-21%.
Ky propozim vijon të jetë në përputhje me Direktivën e Këshillit Evropian 2006/112/EC mbi sistemin e përbashkët të tatimit mbi vlerën e shtuar, e ndryshuar, e cila përcakton detyrimin për aplikimin e një shkalle standarde të TVSH-së, të shprehur si përqindje e vlerës së tatueshme, jo më e ulët se 15%.
Ndërkohë, në funskion të harmonizimit me këtë ndryshim, propozohet njëkohësisht edhe heqja e togëfjalëshit “20 për qind” në përmbajtje të pikës 3, të nenit 146 të ligjit./monitor.al