
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për protestat dhe kërkesat e qytetarëve në vend.
E pyetur nëse Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe për qëndrimin e saj lidhur me protestat në Shqipëri, Kos u përgjigj:
“Po, Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse Qeveria dhe Parlamenti përmbushin detyrimet e tyre, dhe nëse shtetet anëtare e mbështesin këtë proces.
Sa u përket protestuesve apo protestave në Shqipëri, është e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre.
Një pjesë e kërkesave të tyre lidhet drejtpërdrejt me atë që ne po bëjmë në kuadër të procesit të anëtarësimit, konkretisht në Kapitullin 27 që ka të bëjë me legjislacionin për mjedisin.
Ky është vetëm një shembull se si procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve, përfshirë edhe ato të përfaqësuesve të shoqërisë civile”, tha Kos për A2.