
Nuk kanë të ndalur problemet për motrat Deizi dhe Xhesika Arapi zhurmat e tyre në Bilisht kanë përfunduar në faqet e para të mediave në Shqipëri pas një sherri të nisur katër vite më parë në zyrën e ish-kryebashkiakut të dalë nga radhët e demokratëve, Bledion Nallbati.
Makinës së Deizi Arapit, emri i së cilës u bë i njohur një muaj më parë pasi u arrestua se fyeu e kundërshtoi efektivët e policisë, i është vënë flaka, para shtëpisë së saj në Bilisht, ku edhe e kishte parkuar.
Sipas policisë zjarrvënia është e qëllimshme, ndërsa, vetë 27-vjeçarja akuzon, ish-kryetarin e bashkisë së Devoll, Bledion Nallbati, i cili është aktualisht deputet i PD-së, se ai fshihet pas zjarrvënies së makinës së saj.
Këto akuza mund të vërtetohen me hapjen e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, por deri më tani nuk ka asnjë urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria.
Kush janë motrat Arapi dhe jeta e dyfishtë e tyre
Pas fotove të bukura dhe sharmante në rrjete sociale të dy vajzave fshihet kalvari i peripecive të njëpasnjëshme që ka kaluar familja Arapi, gjë që në Bilishtin e vogël flitet hapur. Fqinjët ‘gumëzhijnë’ për standartin e jetës së vajzave në rrjetet sociale dhe për atë që shohin çdo ditë vetë, një baba të paralizuar dhe një nënë që apelon për ndihmë ekraneve.
E ëma e tyre është këngëtarja mirditore, Luljeta Përbasha e cila rreth një vit më parë bënte thirrje në ‘Vizion Plus’ për t’i ndërtuar shtëpinë pasi jetonte në skamje, shkruan dosja.
Bashkëshorti i saj prej vitesh i paralizuar kishte nevojë për kujdes duke e bërë më të vështirë për të që të punonte. 61-vjeçarja tregonte një vit më parë se jetonin me fitimet e nxjera nga mbledhja e lajthive ne fushat e Devollit dhe me lekët e kempit të bashkëshortit. Ish-këngëtarja rrëfente se ka punuar si sanitare në shtëpi e hotele të ndryshme dhe se nuk e përballonte dot jetesën e përditshme.
“Vajzat kanë ikur në Tiranë. Jeta ime ka mbaruar, më plasi zemra,”- thoshtë ajo e prekur. “E kam filluar karrierën që 7 vjeçe, kam qenë drejtoreshë biblioteke, nuk e di si përfunduam kështu,”- thoshte ajo ndër të tjera.
Pas apeleve në media falë donacioneve të ndryshme dëshira e saj u bë realitet pasi u pajisën me shtëpi të re, por vajza e saj e madhe pritet të përballet në gjyq me Nallbatin.
Deputeti i PD-së Bledion Nallbati, i është përgjigjur akuzave të Deizi Arapit, se ky i fundit i ka djegur makinën pas një konflikti të mëparshëm pmes tyre. Ish-kryebashkiaku i PD-së, i mohon akuzat dhe deklaron se do të bëjë kallëzim për shpifje ndaj 27-vjeçares.
‘Jam i habitur nga këto akuza. Unë kam pasur vetëm një konflikt verbal kur isha kryebashkiak, por asgjë më tepër. Besoj se është nxitur nga dikush tjetër për të bërë këto akuza. Sa i përket punëtorit tim nuk mbaj përgjegjësi për çdo punëtor që kam, me kë zihen dhe çfarë bëjnë. Sapo të kthehem nga Gjermani do të bëj një kallëzim për shpifje', tha ai.