
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në Prishtinë grupin muzikor “Shkodra Elektronike”, të cilët përfaqësuan Shqipërinë në Eurovision 2025 dhe arritën të kualifikohen në finalen e madhe të këtij eventi prestigjioz.
Dyshja, Beatriçe dhe Kola, performuan në ditën e parë të festivalit ndërkombëtar feminist dhe artistik FemArt13, me moton “Çliroje mendjen”, që po mbahet nga data 16 deri më 21 qershor 2025, në skenën e AMC Hall në Prishtinë.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për suksesin e artistëve shqiptarë në skenat evropiane. “Sot mirëpritëm flakën e Eurovisionit 2025 në Prishtinë , Shkodrën tonë muzikore të suksesshme, që ka ndriçuar me stilin e saj elektro-pop skenat e mëdha të Evropës,” shkroi ai.
Kurti vlerësoi veçanërisht këngën “Zjerm”, me të cilën “Shkodra Elektronike” e futi Shqipërinë mes 10 këngëve më të votuara të natës, ndërsa mediat ndërkombëtare si ‘The Guardian’ e cilësuan performancën e tyre si një nga më uniket e këtij edicioni.
Gjatë takimit u diskutua edhe për projektin e tyre të ri, “Shndrit!”, i cili po pritet ngrohtësisht nga publiku dhe kritika, si dhe për planet artistike në vazhdim, përfshirë turne ndërkombëtare dhe bashkëpunime të reja muzikore.
Duke i krahasuar me legjendat alternative të muzikës britanike si Siouxsie and the Banshees apo Sisters of Mercy, Kurti u shpreh: “Te ne tashmë është bindshëm ‘Shkodra Elektronike’, emër që nuk ndalet, as në studio, as në skenë.”
Sot mirëpritëm flakën e Eurovisionit 2025 në Prishtinë “Shkodrën Elektronike”, Shkodrën tonë muzikore të suksesshme, që ka ndriçuar me stilin e saj elektro-pop skenat e mëdha të Evropës.
Beatriçe dhe Kola, dyshja karizmatike e këtij formacioni, vijnë sot “plot zjerm” për publikun e Kosovës në ditën e parë të Festivalit FemArt13 “Çliroje mendjen”(16-21.06.2025) në skenën e AMC Hall. Ashtu siç janë plot me dashuri për vendin, edhe sonte janë të ndezur dhe të gatshëm për të përflakur skenën me performancën e tyre të guximshme dhe moderne.
Folëm për suksesin e tyre në Eurovision, ku me këngën “Zjerm” arritën të kualifikohen në finalen e madhe, duke sjellë Shqipërinë mes 10 këngëve më të votuara të natës.
Mediat prestigjioze si The Guardian e shumë të tjera e përmendën Shkodrën elektronike si një nga performancat më unike të këtij edicioni.
Gjithashtu, biseduam për publikimin e “Shndrit!”, që po pritet ngrohtësisht nga publiku dhe kritikët, dhe për planet e tyre të ardhshme, që përfshijnë turne ndërkombëtare dhe bashkëpunime të reja artistike.
“Siouxsie and the Banshees” dhe “Sisters of Mercy” në Britani, kurse te ne tashmë është bindshëm “Shkodra elektronike”, emër që nuk ndalet, as në studio, as në skenë.