Kuvendi miraton në parim Buxhetin 2027, 80 vota pro dhe 25 kundër

19 Nëntor 2026, 07:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kuvendi miraton në parim Buxhetin 2027, 80 vota pro dhe 25 kundër

Pas 14 orëve seancë maratonë, me 80 votat e socialistëve u miratua në parim në Kuvend buxheti për vitin 2027 prej 10 miliardë eurosh.

 Për socialistët, është rritje e investimeve publike dhe mbështetjes sociale, ndërsa nga deputetët e opozitës mori 25 vota kundër dhe u cilësua “kriminal”.

Opozita votoi kundër edhe për ligjet e paketës fiskale 2027, konkretisht për tatimin mbi të ardhurat i ndryshuar, me 80 vota pro dhe 25 kundër, për TVSH me 80 vota pro dhe 24 kundër, për procedurat tatimore 80 vota pro dhe 24 kundër, akcizat 80 vota pro dhe 25 kundër, si dhe ligji për strehimin social 79 vota pro, 1 abstenim (Greta Bardeli) dhe 25 kundër.

Për buxhetin, kritikat u vërtitën kryesisht te shpërndarja e parave, mungesa e konsultimit me bizneset dhe më shumë kosto për xhepat e qytetarëve.

“Biznesi nuk u pyet, askush nuk i vuri në dijeni. Lista e ushqimeve me TVSH 6% nuk na është vënë në dispozicion. Edhe masa tjetër, ulja e pragut të TVSH në 5 mln lekë që fut afro 8 mijë biznese në një grackë të re të ngarkesës fiskale vendoset po me VKM”, tha Eno Bozdo.

“Po çfarë vlere ka 10 mld i buxhetit kur ekzekutohet vetëm 36%? Kaq e ka takatin. Sa herë ka zgjedhje firmosin tenderë, japin koncensione”, tha Tabaku.

Pavarësisht komenteve, deputetët socialistë bënë thirrje për votimin e buxhetit, të cilin e përshkruan si “vizion të Shqipërisë europiane”.


Video