
Superliga dhe kategoritë e ulëta të futbollit turk janë përfshirë nga një tjetër operacion i Prokurorisë së Stambollit. Aksioni i fundit ka çuar në arrestimin e 29 personave, duke zgjeruar hetimin për trukime ndeshjesh dhe baste sportive.
Mes të arrestuarve janë 14 futbollistë aktivë, të dyshuar për manipulim rezultatesh duke vënë baste kundër skuadrave të tyre.
Sipas hetuesve, prova kyçe janë transaksione financiare të pazakonta të evidentuara në llogaritë personale të të dyshuarve.
Hetimi ka prekur edhe nivelet drejtuese të futbollit turk, me arrestimin e Erden Timur, ish-zëvendëspresident i Galatasarayt. Klubi nuk ka reaguar zyrtarisht, ndërsa rasti konsiderohet një pikë kthese në hetim.
Në total, skandali përfshin rreth 1 mijë e 500 persona, me masa pezullimi ndaj afro 1 mijë lojtarëve dhe 150 arbitra.