Witkoff dhe Kushner i vunë ultimatum Zelenskyt në telefon për dorëzimin e Donbasit

9 December 2025, 18:09Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Witkoff dhe Kushner i vunë ultimatum Zelenskyt në telefon për
Witkoff dhe Kushner

Sipas raportimeve të Axios, këshilltarët e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duket se i kërkuan presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të pranonte dorëzimin e rajonit të Donbasit gjatë një telefonate, pa mundësi negociatash apo kompensimi.

Sipas burimeve, propozimi amerikan për “paqe” u bë edhe më i rreptë për Ukrainën pas një takimi pesë-orësh mes këshilltarëve të Trump dhe Vladimir Putinit më 2 dhjetor.

Plani i përditësuar përfshinte kërkesa të ashpra: koncesione territoriale, dorëzimin e kontrollit të centralit bërthamor të Zaporizhzhias dhe mungesën totale të garancive të sigurisë.

Raportohet se Zelensky ishte në thelb i detyruar të pranonte humbjen e Donbasit në mënyrë të njëanshme, duke shkelur çdo mundësi për dialog ose zgjidhje të favorshme për Ukrainën.

Ukraina përgatit plan të ri paqeje

Ukraina po harton një version të ri të planit të paqes për t’ia paraqitur Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur se nuk ka asnjë mundësi që vendi i tij të pranojë dorëzimin e territorit ndaj Rusisë.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një turi diplomatik në Europë, ku Zelensky u takua me liderë të BE-së dhe NATO-s në përpjekje për të frenuar presionin amerikan për një marrëveshje që, sipas Kievi dhe disa kryeqyteteve evropiane, mund ta linte Ukrainën të pambrojtur ndaj një agresioni të ri në të ardhmen.

Plan i rishikuar për SHBA-të

Sipas agjencisë AFP, presidenti ukrainas njoftoi se ekipi i tij mund t’i dërgojë Uashingtonit një propozim të rishikuar që të martën. Kjo pasoi një fundjavë negociatash intensive mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase, të cilat përfunduan pa marrëveshje të përbashkët.

Zelensky theksoi se nuk mund të pranojë asnjë kërkesë ruse për dorëzim territori: “Nuk kemi as të drejtën ligjore, as atë morale. Kushtetuta jonë nuk lejon asnjë ndryshim të kufijve pa referendum popullor”, tha ai.

Plani amerikan – nga 28 pika në 20

Mediat ukrainase raportojnë se drafti i parë i propozuar nga SHBA, i cili u kundërshtua nga Kievi dhe disa liderë evropianë si tepër i favorshëm për Moskën, është reduktuar nga 28 në 20 pika.

Zelensky tha se asnjë element “pro-ukrainas” nuk është hequr, por vijojnë mosmarrëveshjet për çështjet kyçe:

Kontrolli i Donbasit, që Rusia kërkon ta marrë tërësisht, pavarësisht se nuk e ka pushtuar plotësisht;

Centrali bërthamor i Zaporizhias, ku plani fillestar parashikonte ndarje të energjisë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Këto mbeten pikat më “të ndjeshme”, sipas presidentit ukrainas.

Liderët europianë, presion të koordinuar ndaj SHBA-ve

Samiti i papritur në Downing Street, i zhvilluar mes Zelenskyt, kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, u interpretua si një demonstrim i qartë mbështetjeje ndaj Ukrainës.

Sipas Qeverisë britanike, të katër liderët ranë dakord se ky është një “moment kritik” në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-të dhe se secila marrëveshje e ardhshme duhet të garantojë një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, e cila përfshin garanci të forta sigurie për Ukrainën.


Video