“Europa me udhëheqës të dobët, do të shpërbëhet”/ INTERVISTA e Trump: KRITIKA ndaj liderëve të BE-së! (ELOZHE për Erdoganin dhe Orbanin)

9 December 2025, 13:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Europa me udhëheqës të dobët, do të
Donald Trump, ka “shpërthyer” në kritika ndaj udhëheqësve evropianë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka “shpërthyer” në kritika ndaj udhëheqësve evropianë duke i cilësuar ata si të dobët dhe të humbur.

Në një intervistë ekskluzive për “Politico”, Trump e përshkroi Europën si një bashkësi kombesh “në shpërbërje” duke akuzuar udhëheqësit e saj si të “dobët” dhe të paaftë për të marrë vendime të rëndësishme.

Presidenti amerikan kritikoi aleatët tradicionale të SHBA-së për dështimin në kontrollin e imigracionit dhe luftës në Ukrainë.

“Mendoj se janë të dobët. Por gjithashtu mendoj se ata duan të jenë shumë politikisht korrektë. Nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë as për tregtinë.”, tha ai.

Komentet e tij vijnë në një moment kritik, ndërsa negociatat mbi luftën në Ukrainë janë të tensionuara dhe disa udhëheqës evropianë shprehin shqetësimin se SHBA-ja mund ta lërë Ukrainën përballë agresionit rus. Trump, megjithatë, nuk dha garanci për këtë çështje, duke theksuar se Rusia ka një pozicion më të fortë se Ukraina.

“Jam miqësor me të gjithë. Nuk kam armiq të vërtetë. Kam njohur udhëheqës të zgjuar dhe udhëheqës budallenj. Evropa nuk po bën një punë të mirë në shumë drejtime.”, shtoi Trump.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Trump deklaroi se kishte propozuar një draft të ri marrëveshjeje paqeje, i cili u mirëprit nga disa zyrtarë ukrainas, por që nuk ishte shqyrtuar ende nga presidenti Volodymyr Zelensky.

“Do të ishte mirë nëse ai do ta lexonte atë,” tha Trump. Zelensky u takua me udhëheqës të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar kundërshtimin e tij ndaj çdo cedimi territorial ndaj Rusisë.

Trump kritikon udhëheqësit evropianë për mungesën e rezultateve: “Ata flasin, por nuk prodhojnë rezultate dhe lufta vazhdon e pandërprerë.” Ai kërkoi gjithashtu që Ukraina të mbajë zgjedhje të reja, duke vënë në dyshim funksionimin aktual të demokracisë atje.

Lidhur me NATO-n , ai theksoi: Ka vende që janë të vështira për NATO-n. Jo se nuk duhet të jenë, mendoj se është mirë që i kemi. Turqia është një shembull. Erdogan është një mik i imi , sa herë që kanë një problem me të, më kërkojnë ta telefonoj sepse nuk mund të flasin me të. Ai është një djalë i ashpër, në fakt, më pëlqen shumë. Mendoj se ka ndërtuar një vend të fortë, një ushtri të fortë. Por ata kanë vështirësi të merren me të dhe më kërkojnë ta telefonoj. Dhe unë e telefonoj, dhe gjithmonë ia arrij.

I pyetur për rolin e tij në ndalimin e konflikteve, Trump tha: “Është një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Nuk do të kishte ndodhur nëse do të isha president. Mund të kishte çuar në Luftën e Tretë Botërore. Unë kam zgjidhur tetë luftëra dhe bëj marrëveshje. Por niveli i urrejtjes midis Putinit dhe Zelenskyt është i madh dhe e vështirëson çdo marrëveshje.”

Ndërkohë, shtoi më tej se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk ka qenë kurrë seriozisht në konsideratë.

“Gjithmonë është kuptuar që Ukraina nuk do të bëhej pjesë e NATO-s, shumë para Putinit. Dhe tani ata insistojnë. Kur Zelensky u takua për herë të parë me Putin, ai tha: ‘Dua dy gjëra: të rikthejmë Krimenë dhe që ne të bëhemi anëtar të NATO-s.’ Dhe nuk e tha shumë në mënyrë të sjellshme. Ai është një shitës i madh,” tha Trump në intervistën për Politico.

I pyetur nëse do të përfshihej në zgjedhjet evropiane, Trump u përgjigj se fokusi i tij mbetet tek qeverisja e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi mbështetjen për kandidatët evropianë që përputhen me vizionin e tij, duke përmendur si shembuj mbështetjen për kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe disa figura nga Amerika Latine.


Video