Von Der Leyen: Se kush vjen në BE e vendosim ne, jo trafikantët

17 Shtator 2023, 21:19Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të dielën se autoritetet evropiane dhe jo trafikantët do të "vendosin se kush do të vijë në Bashkimin Evropian dhe në çfarë rrethanash".

Ajo i bëri komentet gjatë një vizite në Lampedusa e shoqëruar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa dhjetëra qytetarë të ishullit italian protestuan kundër rritjes së fluksit të emigrantëve kohët e fundit.

Rreth 126,000 migrantë kanë mbërritur në Itali këtë viti, deri tani. Shifra është pothuajse sa dyfishi i një viti më parë. Lampedusa ka mbajtur barrën kryesore kohët e fundit, me mijëra prurje vetëm këtë javë, më shumë se popullsia e ishullit italian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Kryeministrja Giorgia Meloni dhe anëtarë të tjerë të kabinetit italian, u zotuan të trajtojnë çështjen e migracionit gjatë një vizite në ishullin Lampedusa të dielën.

“Kryeministrja Meloni dhe unë jemi sot këtu për të ofruar një përgjigje të koordinuar nga autoritetet italiane dhe evropiane. Dua të jem shumë i qartë. Ne kemi një detyrim si pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne e kemi përmbushur këtë detyrim në të kaluarën dhe do ta bëjmë sot dhe në të ardhmen. Por ne do të vendosim se kush do të vijë në Bashkimin Evropian dhe në çfarë rrethanash, dhe jo kontrabandistët dhe trafikantët”, tha udhëheqësja e Komisionit Evropian.

Vetëm brenda një dite këtë javë, në ishullin e vogël mbërritën 7,000 migrantë. Tensionet janë rritur në ishull, i cili është më afër Tunizisë sesa Italisë kontinentale.

Banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me numrin e madh të migrantëve në ishull. Migrantë nga Afrika e Veriut përpiqen të arrijnë Evropë duke i përdorur birgjet e ishullit Lampedusa. Banorët thonë se ka dekada që ndodh ky veprim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar ta ndihmojë Italinë për të pëballuar prurjet e migrantëve, ndonëse Italia ka kërkuar një bllokadë detare për të frenuar fluksin, raporton Zeri i Amerikës.

Video