Udhëheqja e FBI-së në rrezik dhe Maga e përçarë, pse çështja Epstein trazon presidentin Trump

12 July 2025, 18:44Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Udhëheqja e FBI-së në rrezik dhe Maga e përçarë,
Epstein-Trump

Rasti Epstein vazhdon të trazojë administratën e Donald Trump-it, deri në atë pikë sa rrezikon të shkaktojë një krizë të aftë që të shkatërrojë FBI-në. Në të njëjtën kohë, kjo situatë po tensionon edhe bazën e lëvizjes MAGA (Make America Great Again), e cila priste transparencën maksimale të premtuar nga presidenti.

Disa janë gjithashtu të zhgënjyer nga ndërhyrja e papritur në politikën e jashtme, nga bombardimet në Iran e deri te përshkallëzimi aktual i tensioneve me udhëheqësin rus Putin për Ukrainën.

“La Repubblica“ shkruan se FBI po përjeton pasiguri sepse zëvendës drejtori Dan Bongino po shqyrton largimin nga posti i tij, duke përmendur mosmarrëveshjet mbi trajtimin e çështjes së financierit të dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein nga Departamenti i Drejtësisë dhe Sekretarja Bondi. Kjo sipas faqes së internetit Semafor dhe mediave të tjera.

Nëse Bongino jep dorëheqjen, ekziston edhe mundësia që drejtori i FBI-së, Kash Patel, të ndjekë të njëjtën rrugë.

Bongino është i zhgënjyer, sepse gjatë fushatës presidenciale, Trump kishte premtuar të sillte transparencë të plotë dhe sekretarja Bondi kishte deklaruar se posedonte në tavolinën e saj dokumente të klasifikuara me emrat e “klientëve” të Epstein-it, duke premtuar publikimin e tyre. Tani, megjithatë, ajo ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Epstein është vetëvrarë dhe nuk ekziston asnjë listë me klientë që kishin frekuentuar vajzat e mitura të tij.

Komuniteti Maga priste të gjente emrat e kundërshtarëve politikë demokratë midis këtyre dokumenteve, por pas mosmarrëveshjes së tij me Trump-in, Elon Musk shkroi në mediat sociale se edhe emri i vetë presidentit figuron në ato dokumente.

Bongino ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për dorëheqjen, por nuk u paraqit në punë të premten, pas një takimi që përfundoi me përplasje në Shtëpinë e Bardhë me Bondin, në fillim të kësaj jave, sipas faqes Axios. Nuk është ende e qartë se kur, apo nëse, ai do të rikthehet në detyrë.

Në rast se Bongino do të largohet, e ardhmja e Patel-it do të mbetet e pasigurt, ai mund të vendosë të bëjë të njëjtën gjë, sipas burimeve të Semafor dhe mediave të tjera.

Si Bongino, ashtu edhe Patel, duan që Bondi të dorëhiqet nga posti i sekretares së Drejtësisë, dhe të njëjtën gjë kërkon edhe baza e lëvizjes MAGA, e cila është e irrituar prej ditësh për këtë rast dhe për vendime të tjera të Trump-it që nuk i kanë pëlqyer, përfshirë edhe shkurtimet në programin e kujdesit shëndetësor Medicaid, të miratuara me ligjin e fundit të shpenzimeve të quajtur “Big Beautiful Bill” (projektligji i madh dhe i bukur), i cili ka dëmtuar shumë prej votuesve të rinj republikanë të klasës punëtore.


Video